Njësia Task Forcë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Jugu, ka arritur të identifikojë një automjet me targa të Serbisë, i cili kishte hyrë në mënyrë ilegale nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas përcjelljes, automjeti është ndaluar në magjistralen Bujanocë–Gjilan.
Gjatë kontrollit të automjetit, i cili drejtohej nga personi me inicialet H.L., 35 vjeç, shqiptar, shtetas i Serbisë, janë gjetur mallra të kontrabanduara – VEP (pajisje elektronike për avullim, të njohura si cigare elektronike/vape), si në vijim:
• CROWN Bar – 10 × 5 pako = 50 copë
• VOZOL – 12 × 10 pako = 120 copë
• AIRMEZ Fox – 10 × 10 pako = 100 copë
• VOZOL – 5 × 1 = 5 copë
Gjithsej: 275 copë
Për mallin e lartcekur, i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përcjellës.
Malli është sekuestruar nga njësitet e Policisë Kufitare dhe do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore.
Sipas vlerësimeve të bazuara në çmimet e tregut (pa përfshirë detyrimet doganore dhe akcizën), vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara arrin shumën prej rreth 5,325 euro.
Pas konsultimit me prokurorin përkatës, personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli është konfiskuar.
Task Forca thekson përkushtimin e saj të vazhdueshëm në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive ilegale që dëmtojnë ekonominë e vendit dhe interesat e qytetarëve, duke riafirmuar vendosmërinë për të vepruar me efikasitet në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në territorin e Republikës së Kosovës.