Shqetësimet e qytetarëve për matjen e energjisë elektrike po vazhdojnë, teksa raportimet për parregullsi në njehsorë janë shtuar ditëve të fundit. Disa konsumatorë kanë publikuar pamje se si faturimi nuk përputhet me konsumin real, ndërsa ka edhe raste kur qytetarët publikojnë dëshmi duke akuzuar për “vjedhje” përmes njehsorëve të rrymës.
Sipas tyre, pavarësisht këtyre pretendimeve, kompanitë energjetike KEDS dhe KESCO po “tërhiqen” dhe nuk po reagojnë në mënyrë të duhur, duke krijuar pakënaqësi dhe mosbesim tek konsumatorët.
Për këtë situatë ka reaguar edhe, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke bërë të ditur se është duke e monitoruar me kujdes të shtuar situatën dhe po grumbullon informata për të garantuar matje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike.
ZRRE u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se hasin në probleme, fillimisht t’i drejtohen KEDS-it për verifikim dhe inspektim të njehsorëve elektrikë.
“Në të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Nëse konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorëve elektrikë, do të ndërmerren masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.
Rregullatori ka theksuar se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore, ndërsa të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, duke kufizuar mundësinë e përfitimit nga gabimet eventuale në matje. Sipas tyre, çdo gabim i mundshëm mund të ketë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tij. /Lajmi.net/