Qendra Klinike Universitar e Kosovës njofton se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale, pas furnizimit me pajisjet e nevojshme si dhe trajnimit profesional të stafit mjekësor.
Pas sigurimit të kolonoskopit dhe gastroskopit, si dhe pas trajnimit të disa mjekëve në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, përkatësisht në Njësinë e Endoskopisë, është mundësuar implementimi i këtyre procedurave në trajtimin e rasteve të ndryshme klinike tek pacientët pediatrikë.
Rastet e para janë realizuar gjatë vitit 2024, me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa në fazat pasuese procedurat janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve nga Klinika e Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndër klinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë filluar realizimin e pavarur dhe me sukses të këtyre procedurave.
Gjatë 10 muajve të fundit janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike, duke përfshirë vendosjen e PEG-it (gastrostoma endoskopike perkutane), largimin e trupave të huaj nga lukthi dhe pjesa distale e ezofagut, dilatime të ezofagut, gastroskopi eksplorative, si dhe kolonoskopi eksplorative dhe diagnostike.
Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se vendosja e PEG-ut tek pacientët pediatrikë me humbje të refleksit të gëlltitjes, që zakonisht paraqitet si pasojë e çrregullimeve neurologjike kongjenitale apo traumave me pasoja neurologjike, tashmë realizohet brenda vendit. Deri më tani, këta pacientë kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë Kosovës, ndërsa me avancimin e këtij shërbimi kjo nevojë është eliminuar.