Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u takuar me liderë të partive opozitare për çështjen e Presidentit, pasi Gjykata Kushtetuese dha 34 ditë kohë për zgjedhjen e shefit të shtetit.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kurti përmendi vizitën në Francë dhe takimin me presidentin Emmanuel Macron si arsye që ende nuk i ka nisur “konsultimet e brendshme” për Presidentin.
“Së pari, unë jam kthyer mbrëmë nga Parisi, ku kishim një vizitë dhe takim shumë përmbajtësor, rreth dy orësh, me presidentin francez, Emanuel Macron”, tha fillimisht Kurti.
“Prandaj unë nuk e kisha kohën e mjaftueshme që t’i bëj konsultimet e brendshme për takimet e ardhshme”, tha ai.
Kurti tha se do të bëjë ftesa për takime me kryetarët e partive opozitare, ndërsa theksoi se “nuk është mirë të jemi veçse 80 apo 81” deputetë, por “rreth 85”. Për pyetjen rreth ofertës dhe kompromisit për këtë çështje, Kurti tha se duhet të priten ato takime.
“Padyshim që do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj, unë besoj që nuk është mirë të jemi veçse 80 apo 81. Duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86 në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin aty, dhe për këtë do të bëjë edhe ftesa e do të zhvillojmë edhe takime, por çfarë ofertash e kërkesash do të ketë në ato takime, duhet të presim që të ndodhin ato takime”, tha ai.