Rritja e çmimeve të derivateve të naftës dhe inputeve të tjera bujqësore po e vështirëson ndjeshëm punën e fermerëve në Gjakovë, të cilët tashmë kanë filluar përgatitjet për mbjelljet pranverore, duke rrezikuar prodhimin dhe planifikimin e kulturave të tyre.
Çmimi i lartë i derivateve të naftës dhe inputeve të tjera bujqësore është bërë barrë gati e papërballueshme për fermerët e komunës së Gjakovës, të cilët tashmë kanë filluar përgatitjet për mbjelljet pranverore. Ata thonë se kjo gjendje e rënduar po ua vështirëson në masë të madhe punët e tyre të përditshme.
“Me të thënë të vërtetën, shtrenjtë janë të gjitha gjërat. Por s’kemi çfarë të bëjmë; me këtë lëmi merremi dhe duhet të punojmë patjetër, sepse nga bujqësia jetojmë. Mbjellim rreth 5 hektarë misër, rreth 3 hektarë grurë, ndërsa pjesa tjetër janë livadhe, tërshërë dhe jonxhë”, tha Hysen Sylaj, fermer.
“Në përgjithësi unë mbjell më shumë kulturën e misrit, diku rreth 60 hektarë. Por si fermerë, dhe si bujqësi në përgjithësi, nafta është shumë e shtrenjtë, po ashtu edhe plehu artificial. Shpresojmë që Ministria e Bujqësisë – e cila realisht nuk është keq, sidomos gjatë dy viteve të fundit – të na japë edhe pak më shumë ndihmë, sepse pa bujqësi nuk ka jetë”, thaksoi Agron Beqaj, fermer.
Edhe zyrtarët për bujqësi në komunën e Gjakovës thonë se, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të çmimeve, një mbështetje më e madhe për fermerët është e domosdoshme.
“Fermerët në këtë periudhë pune i kanë sfidat e veta, sidomos kur llogariten çmimet e inputeve si nafta, farërat dhe plehrat kimike. Këto rritje po vijnë si rezultat i përgjithshëm i shtrenjtimit të produkteve. Si pasojë, pavarësisht vullnetit të fermerëve, po vërehen ngecje gjatë përgatitjeve pranverore”, tha Gani Hajdari, drejtor në DBZHR në Gjakovë.
Sipas drejtorit për bujqësi, Gani Hajdari, në komunën e Gjakovës këtë vit është planifikuar që të mbillen rreth 5,500 hektarë me kultura pranverore.