Shpëtim Qorraj, djali i komandantit të njohur Mustafë Qorraj nga Pemishta e Skenderajt, ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të babait të tij në vendlindje.
Në një prononcim për portalin DrenicaOnline, ai ka ndarë emocione të thella për mungesën e prindit, duke theksuar se malli për babain është gjithmonë i pranishëm në jetën e tij.
“Malli për prindin më merr shumë, sidomos kur arrin disa suksese në jetë apo kur ke fëmijë dhe dëshiron që ata të rriten me gjyshin. Edhe unë e kam këtë ndjenjë. Më mungon shumë çdo herë, por prapë them se ai është gjithmonë me mua”, ka thënë Qorraj, për DrenicaOnline.
Ai shtoi se kujtimi për të atin e shoqëron në çdo moment të jetës, qoftë në gëzim apo në vështirësi.
“Në çdo moment të vështirë të jetës sime, qoftë gëzim apo hidhërim, ai është me mua. Mundohem që edhe përmes fotografive të tij ta mbaj të pranishëm në jetën time,” u shpreh ai.
Ndryshe, Shpëtim Qorraj është aktiv në jetën publike në SHBA dhe ka qenë kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut në Distriktin 64, duke synuar të përfaqësojë fuqishëm komunitetin shqiptar atje./DrenicaOnline/