Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, falënderoi presidentin e Federatës së Futbollit Italian (FIGC) Gabriele Gravina dhe shefin e delegacionit Gianluigi Buffon që i dhanë mundësinë të zgjedhë stadiumin për gjysmëfinalen e “play-offit” të Botërorit kundër Irlandës së Veriut: “Shpresojmë të krijojmë një atmosferë të zjarrtë”.
Italia do ta presë kombëtaren e Irlandës së Veriut në Bergamo më 26 mars, në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit” për Kupën e Botës.
Ndeshja do të luhet në stadiumin e Atalantës, “New Balance Arena”, me kapacitet prej 25 mijë ulësesh, i cili tashmë kishte pritur edhe ndeshjen e parë të Gattusos si trajner i Italisë kundër Estonisë në shtatorin e kaluar.
“Unë e zgjodha stadiumin. Dua të falënderoj presidentin dhe Buffonin që më lanë të vendos,” tha Gattuso në një konferencë për shtyp.
“Besoj se kur luan në një stadium me 60 mijë vende si ‘San Siro’, ka tifozë të Interit dhe Milanit, dhe ata mund të fillojnë të fishkëllejnë pas disa pasimeve të gabuara. Në një stadium më të vogël, atmosfera ka gjasa të jetë më e mire”, shtoi ai.
“Kjo u pa edhe në ndeshjen time të parë si trajner i Italisë, edhe pse pjesa e parë përfundoi 0-0. Shpresojmë të krijojmë një atmosferë të vërtetë ‘kazani’ dhe të mos kemi bërë zgjedhje të gabuar”, vazhdoi ai.
“Ndeshja e së enjtes është objektivi i vetëm. Gjithçka tjetër i përket së kaluarës dhe besoj se kemi një mundësi të madhe”, e mbylli Gattuso./GazetaExpress/