Klubi i futbollit KF Dukagjini dhe trajneri Ndue Përgjokaj kanë mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin, duke i dhënë fund periudhës së tij në krye të skuadrës nga Klina.
Lajmi vjen pas barazimit 1-1 ndaj Prishtinës së Re, rezultat që shënoi edhe ndeshjen e fundit të Përgjokajt në drejtimin e ekipit, shkruan Indeksonline
Në një deklaratë publike, Përgjokaj ka shprehur mirënjohjen e tij për klubin dhe të gjithë bashkëpunëtorët gjatë kësaj periudhe. Ai falënderoi veçanërisht presidentin e klubit, Fabian Veseli, si dhe drejtorin sportiv, Korab Desku, për besimin dhe korrektësinë e treguar.
Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin e stafit dhe lojtarëve, duke përmendur bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë gjatë gjithë rrugëtimit të përbashkët. Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe tifozëve për mbështetjen e vazhdueshme ndaj ekipit.
Përgjokaj theksoi se gjatë kohës së tij në klub ka punuar me profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim maksimal, duke dhënë kontributin e tij në shërbim të objektivave të skuadrës.
“Largohem me kokën lart, me ndërgjegje të pastër dhe me krenarinë që kam dhënë maksimumin tim me dinjitet dhe përgjegjësi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tij./Indeksonline/