Bayern Munich do të përballet me Real Madrid në çerekfinalet e UEFA Champions League, pasi gjigantët bavarezë shkatërruan Atalanta me rezultatin e përgjithshëm 10-2.
Pas fitores 4-1 në ndeshjen e kthimit, Bayern siguroi një nga fitoret më të thella në historinë e kompeticionit ndaj një skuadre italiane në fazat me eliminim direkt.
Harry Kane theksoi se skuadra e tij nuk ka frikë nga askush, ndërsa pret me entuziazëm sfidën ndaj rekordmenëve të kompeticionit.
“Real Madrid është gjithmonë një kundërshtar i rrezikshëm, por ne nuk i trembemi askujt,” u shpreh Kane.
“Këto do të jenë ndeshje emocionuese për të gjithë, mezi po i pres.”
Bayern ka shënuar mbi 10 gola në një përballje me dy ndeshje në Champions League për herë të tretë në histori (më parë kundër Sporting në 2008-09 dhe Arsenal në 2016-17), një rekord që asnjë skuadër tjetër nuk e ka arritur më shumë se një herë.
Kane realizoi dy gola në këtë ndeshje, duke arritur kuotën e 50 golave në Champions League. Vetëm Erling Haaland dhe Ruud van Nistelrooy e kanë arritur këtë shifër në më pak ndeshje se ai, ndërsa Kane është në të njëjtin nivel me Lionel Messi (66 ndeshje).
Sulmuesi anglez ka shënuar gjithashtu 29 gola në 34 ndeshje të Champions League me Bayern, më shumë se çdo lojtar tjetër që nga fillimi i sezonit 2023-24./Indeksonline/