Një paralajmërim i fortë për sigurinë kibernetike është dhënë nga ekspertët ndërkombëtarë, pas zbulimit të një mjeti të ri sulmi që mund të synojë përdoruesit e iPhone.
Sipas raportit të publikuar nga Google Threat Intelligence Group, bëhet fjalë për një zinxhir sulmesh i njohur si “DarkSword”, i cili shfrytëzon disa dobësi të panjohura më parë në sistemin operativ iOS.
Ekspertët thonë se ky mekanizëm mund të lejojë ndërhyrje të avancuara në pajisje, duke hapur rrugën për akses në të dhëna personale, përfshirë mesazhe, kontakte, foto apo historikun e shfletimit.
Megjithatë, specialistët theksojnë se bëhet fjalë për sulme të targetuara dhe jo për një rrezik masiv për të gjithë përdoruesit. Në shumicën e rasteve, sulmi kërkon ndërveprim nga vetë përdoruesi, si hapja e një linku të dyshimtë ose vizita në faqe të komprometuara.
Kompania Apple ka reaguar duke përditësuar sistemin e saj operativ dhe duke korrigjuar dobësitë e identifikuara, ndërsa u bën thirrje përdoruesve të instalojnë menjëherë versionet më të fundit të iOS.
Ekspertët e sigurisë këshillojnë gjithashtu që të shmangen linket e panjohura, të përdoren vetëm aplikacione zyrtare dhe të mbahet gjithmonë i përditësuar softueri i pajisjes.
Ky zhvillim rikthen në vëmendje rëndësinë e sigurisë dixhitale në një kohë kur sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.