Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, sot është miratuar bartja e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila vepron në kuadër të ZKM-së, në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare.
Ministri i kësaj ministrie, Andin Hoti pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë për media ka thënë se bartja e kësaj Zyre ishte e domosdoshme.
“Në fushë veprimtarinë e Ministrisë sonë, bjen edhe kjo fushë e vlerave të luftës çlirimtare dhe bartja e kësaj zyre që është themelu në kuadër të zyrës së kryeministrit, ka qenë e domosdoshme me qëllim të koordinimit të drejtpërdrejtë dhe më efikas të politikave që lidhen me këtë kategori”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se në këtë Ministri do të krijohet një departament për Vlera të Luftës Çlirimtare dhe kjo zyre do të përket aty.
“Përkujdesja institucionale ndaj këtyre kategorive tashmë duhet të organizohet përmes një departamenti që do të krijojmë në Ministri dhe kjo zyre do të jetë brenda saj. Në bazë të kompetencave, kjo zyre bashkërendon për kategoritë e dala nga lufta, lëshon vërtetime zyrtare mbi bazën e regjistrit që kjo zyre menagjon dhe ofron mbështetje për komisionet përkatëse për këtë kategori. Aktualisht lista e veteranëve ndodhet në masë të përkohshme nga Gjykata në Kosovë për shkak të çështjeve që lidhen me listat dhe numrin e veteranëve nga koha e luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti. /Lajmi.net/