Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa ka folur pas kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Los Blancos” e eliminuan Manchester Cityn nga e teta e finales pasi e mposhtën dy herë.
E mbrëmë fituan 2:1 edhe falë ndëshkimit me karton të kuq të Bernardo Silvas, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri spanjoll ka folur për “Sky Sport” pas fitores ndaj “Citizens”.
“Kartoni i kuq i Bernardo Silvas ndryshoi gjithçka, sidomos pasi kjo ndodhi kaq herët: pas përjashtimit ishte shumë më e lehtë. I kemi pasur disa raste për të shënuar dhe për ta mbyllur më herët ndeshjen”, u shpreh ai.
“Si është gjendja e Courtois dhe Mbappé? Courtois e ka një shqetësim të vogël, kemi vendosur të mos rrezikojmë duke qenë se na pret derbi me Atletico Madridin. Mbappé është rikthyer në lojë, po e rikthen formën më të mirë fizike, por e kam parë mirë”, shtoi trajneri madrilen.
Më tej, ai foli për paraqitjen e Vinicius: “Nuk ka pasur shumë fat, por ka qenë spektakolar: një kërcënim i vazhdueshëm për kundërshtarët dhe për ne një lojtar vendimtar në këtë lojë.”
Në fund, edhe një koment për ndeshjen Bayern Munich – Atalanta.
“Bayerni ka fituar 6-1 në ndeshjen e parë, mendoj se do të kualifikohet lehtësisht, edhe pse Atalanta do të përpiqet t’ua vështirësojë jetën. Ashtu siç ishte e vështirë për ne ta kalonim këtë raund, nuk është e lehtë ta mundësh një skuadër si Manchester City i Guardiolës.” /Gazeta Express