Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një vizitë pune te zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ku është diskutuar për përgatitjet e Kombëtares së Kosovës për ndeshjen kundër Sllovakisë në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026.
Sipas njoftimit të Ademit, në këtë takim morën pjesë edhe anëtari i Komitetit ekzekutiv të FFK-së, Samir Ujkani, si edhe menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala. Gjatë takimit, ata e informuan Konjufcën për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit drejt Bratisllavës.
Konjufca i përgëzoi përfaqësuesit e FFK-së për rezultatet e arritura deri tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjell fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
Ai gjithashtu theksoi se institucionet shtetërore do të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës në këtë rrugëtim drejt realizimit të synimeve në garat ndërkombëtare. Ndërkaq, Ademi falënderoi zëvendëskryeministrin për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve ndaj ekipit kombëtar.