UEFA ka konfirmuar lajmin e pafat se edicioni i vitit 2026 i “La Finalissima”, që duhej të luhej mes kombëtares së Spanjës dhe kombëtares së Argjentinës, është anuluar me efekt të menjëhershëm.
Ndeshja, e planifikuar për më vonë këtë muaj, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej në Doha, por për shkak të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme u vendos të zhvendosej.
Stadiumi “Bernabéu” i Real Madridit ishte propozuar si vendi i ri, por Federata e Futbollit e Argjentinës e refuzoi këtë opsion, gjë që u konfirmua edhe në deklaratën zyrtare të UEFA-s për anulimin e ndeshjes.
Sipas UEFA-s: “Pas shumë diskutimeve mes UEFA-s dhe autoriteteve organizuese në Katar, sot njoftohet se për shkak të situatës aktuale politike në rajon, ‘Finalissima’ mes fitueses së UEFA Euro 2024, Spanjës, dhe kampiones së Copa América 2024, Argjentinës, nuk mund të zhvillohet siç ishte planifikuar në Katar më 27 mars.
Me vendosmëri për ta shpëtuar këtë përballje të rëndësishme, dhe pavarësisht vështirësive për ta zhvendosur një ndeshje kaq të madhe në një kohë shumë të shkurtër, UEFA shqyrtoi alternativa të tjera, por secila prej tyre u refuzua nga Federata e Futbollit e Argjentinës.”
UEFA shpjegoi se opsioni i parë ishte që ndeshja të zhvillohej në stadiumin “Bernabéu” në Madrid në datën e planifikuar, me ndarje 50-50 të tifozëve në stadium. Ky opsion u refuzua nga Argjentina.
Opsioni i dytë ishte që “Finalissima” të luhej me dy ndeshje: njëra në Madrid më 27 mars dhe tjetra në Buenos Aires gjatë një dritareje të ardhshme ndërkombëtare para Euro 2028 dhe Copa América 2028. Edhe ky propozim u refuzua.
UEFA gjithashtu kërkoi nga Argjentina një angazhim që, nëse gjendej një stadium neutral në Evropë, ndeshja të luhej më 27 mars ose më 30 mars, por edhe kjo ide nuk u pranua.
Nga ana tjetër, Argjentina propozoi që ndeshja të luhej pas Kupës së Botës, por Spanja nuk kishte data të lira. Më pas Argjentina deklaroi se mund të luante vetëm më 31 mars, një datë që rezultoi e pamundur për organizim.
“Si rezultat, dhe me keqardhje nga UEFA, ky edicion i ‘Finalissima’ është anuluar,” thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, edhe Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll reagoi duke theksuar se Spanja kishte shprehur që nga fillimi interes të plotë për zhvillimin e kësaj ndeshjeje.
Federata spanjolle theksoi se ishte e gatshme të luante pa vendosur kushte dhe se kishte ofruar disa alternativa:
- organizimin e ndeshjes në Spanjë, duke shfrytëzuar kapacitetet organizative,
- zhvillimin e saj në një stadium neutral,
- ose edhe një format tjetër të ndeshjes.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të përbashkëta me UEFA-n, situata çoi në anulimin e përballjes.
Federata spanjolle gjithashtu bëri të ditur se tashmë ka filluar të organizojë ndeshjet e tjera të kombëtares gjatë dritares së ardhshme ndërkombëtare në Spanjë dhe shprehu keqardhje për anulimin e kësaj ndeshjeje, duke falënderuar UEFA-n për përpjekjet për ta realizuar atë./GazetaExpress/