Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka komentuar veprimet e Kurtit në dialog, në virin 2021 – duke i krahasuar me ato të tanishmet.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti u shpreh se 5 vjet më parë, aleatët ishin dakorduar se dialogu duhej zhvilluar vetëm për marrëveshje përfundimtare, transmeton IndeksOnline.
“Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele.
Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je” deklaroi Hoti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Në fillim të mandatit në vitin 2021, Kurti e braktisi dialogun për njohje reciproke dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare ligjërisht të obligueshme. Në atë kohë ishte krijuar dakordim i përgjithshëm me aleatët se dialogu duhet të zhvillohej vetëm për marrëveshje përfundimtare, në të cilën do të adresoheshin të gjitha çështjet e mbetura në dialogun teknik duke marrë për bazë normat dhe standardet ndërkombëtare të normalizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror. Në vazhdimësi, liderët evropianë dhe ata amerikanë e theksonin mbështetjen për një marrëveshje të tillë.
Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele.
Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je.