Liverpoolit i është thënë se mund të detyrohet ta shesë Florian Wirtz pas një fillimi të vështirë të jetës në “Anfield”.
Gjatë afatit kalimtar të verës, Liverpooli theu rekordin e transferimeve të klubit për të nënshkruar me Wirtz nga Bayer Leverkusen, në një marrëveshje që raportohet se kapte vlerën e 116 milionë funteve.
Megjithatë, 22-vjeçari ka pasur një fillim të vështirë në Merseyside, në një periudhë ku Liverpool po kalon formë të dobët nën drejtimin e Arne Slot.
Deri më tani në sezonin 2025/26, Wirtz ka shënuar vetëm gjashtë gola dhe ka dhënë tetë asistime në 37 ndeshje në të gjitha garat.
Duke folur para ndeshjes së së dielës në Premierligës kundër Tottenham Hotspur në “Anfield”, ish-lojtari i Chelseat dhe Celticut, Craig Burley, ka kërkuar që klubi të përfitojë financiarisht nga shitja e mesfushorit ofensiv gjerman.
Sipas “The Express”, Burley tha në “ESPN FC”: “Le të ndalojmë së rrotulluari rreth çështjes së Florian Wirtz. Jam lodhur. Ajo që bëri në Gjermani është ajo që bëri në Gjermani. Ka mbaruar. Ai është aq i lehtë fizikisht në këtë ekip të Liverpoolit, sa është e pabesueshme. I mungon bindja në të tretën e fundit të fushës, është e jashtëzakonshme.
Nëse nuk janë golat, ku janë pasimet? Ku janë ato depërtime me driblime që i bënte te Leverkuseni, duke kaluar tre ose katër lojtarë, duke bërë lëvizje me trup dhe duke shënuar? Ku janë?”
Ai vazhdoi: “Ai në fund do ta luajë futbollin e tij më të mirë si numër 10 dhe nëse kjo nuk ndodh, Liverpooli do të duhet ta shesë. Deri tani këtë sezon ka qenë paksa një zhgënjim.”
Duke folur në janar, Wirtz komentoi për fillimin e tij të vështirë te Liverpooli.
Ai tha për “BBC”: “Isha shumë i emocionuar kur erdha dhe doja të kisha sukses menjëherë. Nuk ndodhi kështu. Thjesht duhej të qëndroja i fortë mendërisht dhe të vazhdoja të besoja në veten time se në një moment gjërat do të funksiononin.
I thosha vetes: ‘Ke luajtur shumë mirë në Gjermani, nuk mund të harrosh papritur si luhet futbolli këtu.’ Futbolli nuk ishte krejtësisht ndryshe. Nuk ishte gjithmonë e lehtë të kisha besim në fushë, por mendoj se e përballova mirë dhe njerëzit rreth meje më ndihmuan.”
Wirtz shtoi: “Tani ndihem shumë më mirë se në fillim të sezonit. Është kënaqësi të luash me lojtarë si Hugo Ekitike”./GazetaExpress/