FC Barcelona ka refuzuar mundësinë për të transferuar sulmuesin serb Dusan Vlahovic, raportojnë mediat italiane.
Sipas të përditshmes sportive La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit katalanas nuk janë të interesuar për afrimin e sulmuesit të Juventus, transmeton lajmi.net.
Raporti thekson se Vlahovic pritet të vazhdojë karrierën në Torino, pasi është në rrugë për të nënshkruar kontratë të re me Juventusin, duke e mbyllur kështu mundësinë e një transferimi të mundshëm te Barcelona.
Ndërkohë, Barcelona po monitoron situatën e sulmuesit kosovar Fisnik Asllani, i cili aktivizohet te TSG Hoffenheim, në prag të një transferimi të mundshëm gjatë verës.
Sulmuesi 23-vjeçar ka qenë një nga zbulimet e këtij sezoni në Bundesliga, me paraqitje mbresëlënëse që kanë tërhequr interesimin e shumë klubeve evropiane. Ditë më parë, sipas gazetës katalanase Sport, Barcelona ka një avantazh në garë, pasi ëndrra e Asllanit është të veshë fanellën blaugrana.
Edhe pse ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2029, kontrata e tij përmban një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh, një shumë që konsiderohet e përballueshme për klubin katalanas./lajmi.net/