back to top
Saturday, March 14, 2026
BallinaSport‘Frikë’ në Sllovaki për ndeshjen e marsit: Kosova do të na pushtojë...

‘Frikë’ në Sllovaki për ndeshjen e marsit: Kosova do të na pushtojë stadiumin

Të ngjajshme

Gjatë ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2026, kombëtarja e Kosovës zuri vendin e dytë në Grupin B, aty ku ishin edhe Zvicra – si e para – dhe Sllovenia e Suedia.

Kosova e mbylli këtë kampanjë historike me tri fitore, dy barazime e një humbje.

Por, çka mori tjetër vëmendje pos rezultateve pozitive, ishte edhe përkrahja masive që Kosova e gëzonte në stadiumet mysafire.

Duke marrë parasysh që diaspora kosovare është e shpërndarë në disa shtete evropiane, sidomos në Zvicër, Suedi e Slloveni ku ishin ndeshjet, stadiumet ishin të mbushura përplot shqiptarë, dhe jo rrallëherë më shumë dëgjohej kënga shqipe sesa ato të vendasve.

Njëjtë po frikësohen edhe sllovakët, të cilët parashikojnë një situatë të tillë edhe në Bratisllavë. 

Aty do të luhet ndeshja gjysmëfinale e “play-offit” të Botërorit 2026, mes Sllovakisë dhe Kosovës, me 26 mars.

Fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë ndaj fituesit të përballjes Turqi – Rumani. Nëse Kosova fiton ndeshjen e saj të parë, atëherë me 31 mars do të luajë në “Fadil Vokrri”.

Mediumi sllovak “Sportovy.cas” ka bërë një artikull të veçantë rreth një skenari të tillë – të pranisë së madhe të shqiptarëve në stadium – duke e publikuar artikullin me titullin “Një natë e nxehtë futbolli i pret sllovakët: Kosova po bëhet gati ta pushtojë Bratisllavën”.

KY ËSHTË ARTIKULLI I PLOTË, I PËRKTHYER:

“Kombëtarja e Sllovakisë po përballet me një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit. Më 26 mars, skuadra e trajnerit Francesco Calzona do të përballet me kombëtaren e Kosovës në Bratisllavë në gjysmëfinalen e “play-offit” për Botërorin 2026, që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Ndeshja do të luhet në stadiumin ‘Tehelné pole’ dhe pritet një atmosferë shumë e zjarrtë. Arsyeja është e qartë: tifozët e Kosovës kanë shitur të gjitha biletat në sektorin e tyre.

Sipas sistemit të biletave, sektori i mysafirëve u mbush shumë shpejt dhe pritet që tifozë kosovarë të vijnë në numër të madh për ta mbështetur ekipin e tyre. Ndeshje të tilla njihen për atmosferën e zhurmshme dhe të tensionuar, pasi tifozët kosovarë konsiderohen ndër më pasionantët në Evropë dhe shpesh krijojnë atmosferë shumë të fortë edhe në stadiumet e kundërshtarëve.

Sipas zëdhënësit të Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Juraj Čurný, Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë kuotën prej 1000 biletash për sektorin mysafir, sipas rregullave të UEFA-s.

Pas publikimit të lajmit për sektorin e mbushur të mysafirëve, disa tifozë sllovakë shprehën shqetësim, duke kujtuar një rast nga viti 2013. Atëherë, në një ndeshje kualifikuese për Botërorin e 2014-ës kundër kombëtares së Bosnjës dhe Hercegovinës në Žilina, rreth 80% e tifozëve në stadium mbështetnin mysafirët. Ndeshja përfundoi 1-2, edhe pse sllovakët kishin kaluar në epërsi me golin e Marek Hamšík.

Megjithatë, sipas federatës sllovake, një skenar i tillë nuk pritet këtë herë. Ndeshja është e shitur plotësisht dhe tifozët sllovakë duhet të kenë shumicën në stadium, edhe pse qindra bileta janë blerë nga persona me origjinë ballkanike që jetojnë në vende të BE-së, përfshirë edhe në Sllovaki.

Nëse Sllovakia fiton kundër Kosovës, do të ketë edhe një hap drejt Kupës së Botës. Në finalen e “play-offit” më 31 mars 2026 do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Turqisë dhe Rumanisë.

Bratisllava pritet të përjetojë një natë shumë të zjarrtë futbolli, ku mbështetja e tifozëve mund të jetë vendimtare për vazhdimin e ëndrrës drejt Botërorit 2026”./GazetaExpres/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz