Gjithsej 4 amendamente i dërgoi presidentja Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës më 5 mars për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit aktual e të cilat nuk u votuan në mungesë të kuorumit.
Amendamentet përfshinin ndryshimet që presidenti të mos zgjidhej më nga Kuvendi i Kosovës, por drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.
Gjithashtu në amendamente parashihej që mandati i Presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa Presidenti i ri të zgjedhet dhe të bëjë betimin.
Gjithashtu në amendamentet që i ka siguruar KOHA parashihej që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës.
Amendamenti 1 i dorëzuar nga Osmani parashihte ndryshimin e nenit 65 të Kushtetutës, Kompetencat e Kuvendit.
Propozohej të ndyshonte paragrafi 7 i këtij neni.
“Neni aktual 65.7 është si vijon: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës (7) zgjedh dhe mund të shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës në pajtim me këtë Kushtetutë’; Sipas amendamentit të propozuar, neni 65.7 ndryshohet si vijon: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës: (7) dorëzon në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 91 të Kushtetutës’”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga Osmani.
Në amendamentin 2 Osmani ka propozuar që të rastet kur shpërndahet Kuvendi të përcaktuara në nenin 82 të fshihet pika e fundit që është “Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”.
Në amendamenti 3 Osmani ka propozuar që neni 86, Zgjedhja e Presidentit, të fshihet dhe të zëvendësohet me një nen të ri 86.
“Sipas amendamentit të propozuar, neni i ri 86 ka tekstin si vijon:
‘1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.
2. Zgjedhjet Presidenciale shpallen nga Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës.
3. Nëse kandidati për President merr shumicën absolute (më shumë se 50%) të votave të vlefshme në rrethin e parë, atëherë zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave në rrethin e parë, mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave në rrethin e parë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve mbahet jo më vonë se 30 ditë nga rrethi i parë. Kandidati, i cili merr shumicën e votave në rrethin e dytë të zgjedhjeve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës’”, thuhet në kërkesën e Osmanit.
Presidentja në amendamentin 4 ka propozuar të shtohet një nen i ri, ai 163, Shpallja e Zgjedhjeve të para Presidenciale me këtë përmbajtje:
“Pavarësisht dispozitave të era të kësaj Kushtetute: (1) Mandati i Presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa Presidenti i ri të zgjedhet dhe të bëjë betimin. (2) Presidentët që kanë shërbyer para hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve, kanë të drejtë të zgjedhen dhe rizgjedhen edhe një herë si President i Republikës së Kosovës”.
Osmani në konferencën për media të mbajtur më 6 mars, një ditë pasi që Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë pasuesin e saj dhe nuk i miratoi amendamentet kushtetuese ka thënë se miratimi i tyre nuk është lidhur me mandatin e saj derisa ka shtuar se ndryshimet do të mund të aplikoheshin vetëm për zgjedhjen e presidentit pas pesë vjetësh.
“Këto amendamente nuk do kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do duhej të zgjidhej deri mbrëmë. Arsyeja është e thjeshtë vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit aktual. Do të thotë se edhe nëse do miratoheshin mbrëmë ato nuk do të ndryshoni asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim”, është shprehur Osmani.
Amendamentet kushtetuese, të cilat presidentja Osmani ia ka përcjellë Kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit të shtetit me votë të drejtpërdrejtë nga populli nuk kanë arritur të miratohen më 5 mars në mungesë të kuorumit.
Për çdo ndryshim kushtetues kërkohet miratimi nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë. Në këtë seancë, në sallë kanë qenë 93 deputetë, ndërkaq kanë munguar të nëntë ligjvënësit e partisë serbe, Lista Serbe.