Mbështetja e inteligjencës ruse për hakmarrjen e Iranit kundër SHBA-së-Izraelit dhe aleatëve të Gjirit, si dhe shqetësimet se edhe Kina mund të jetë duke ndihmuar Teheranin, tregojnë lidhje gjithnjë e më të thella mes kundërshtarëve të SHBA-së, ndërsa lufta me Iranin vazhdon të zgjerohet.
Moska aktualisht po i ofron Iranit forma të ndryshme të inteligjencës, përfshirë imazhe satelitore dhe taktika për shënjestrimin e dronëve, me qëllim që ta ndihmojë Iranin të godasë forcat amerikane në rajon, sipas burimeve të njohur me inteligjencën amerikane dhe perëndimore.
“Askush nuk do të habitej të besonte se dora e fshehtë e Putinit është pas disa prej taktikave iraniane dhe ndoshta edhe pas disa prej kapaciteteve të tyre,” tha sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, gjatë një konference ushtarake në Londër të enjten.
Ai argumentoi se kjo ndodhi pjesërisht “sepse i vetmi udhëheqës botëror që po përfiton nga çmimet jashtëzakonisht të larta të naftës në këtë moment është Putini, sepse kjo e ndihmon atë me një furnizim të ri fondesh për luftën e tij brutale në Ukrainë”.
Nuk është e qartë në çfarë mase inteligjenca e dhënë Iranit është efektive dhe në kohë, dhe sa rregullisht Rusia po jep informacione të zbatueshme, sipas burimeve. Megjithatë, kjo pasqyron një marrëdhënie të rëndësishme që është theksuar nga varësia e Rusisë nga dronët sulmues vdekjeprurës iranianë Shahed në pushtimin e saj të vazhdueshëm të Ukrainës.