Deputeti i vetëm nga radhët e Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, që guxoi të rreshtohet hapur në krah me presidenten Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e rikthimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në një deklaratë për Kanal 10, Avdyli tha se nuk ka asnjë plan për t’u rikthyer në LDK dhe se do të vazhdojë të mbetet pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht dorëheqjes nga të gjitha pozitat në partinë Guxo.
Deklarata e tij vjen vetëm pak orë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri thirrje për bashkim brenda spektrit politik, një thirrje që u interpretua si ftesë për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani dhe ish-anëtarëve të tjerë që u larguan nga LDK-ja.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku bëri thirrje për bashkimin e asaj që ai e quajti “kampi institucionalist”, duke theksuar se mbështetësit e Republikës dhe të rrugës euroatlantike kanë një shtëpi të përbashkët politike.
Sipas tij, koha kërkon një projekt të përbashkët që tejkalon ndarjet dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës.
“Koha kërkon bashkim, të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.
Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës, prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët, një projekti që tejkalon secilin prej nesh, që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës.’’
Thirrja për bashkim vjen në një periudhë kur skena politike është përfshirë nga diskutime për ripozicionime të mundshme mes figurave që dikur kanë qenë pjesë e LDK-së.