back to top
Tuesday, March 10, 2026
BallinaLajme“Ia dhashë 28 dhjetorin për zgjedhje”-“Nuk përkrahu kandidaturën time”- Heshti sa vite,...

“Ia dhashë 28 dhjetorin për zgjedhje”-“Nuk përkrahu kandidaturën time”- Heshti sa vite, Osmani në fund të mandatit ankohet në Kurtin

Të ngjajshme

Sulm kibernetik ndaj administratës së Kuvendit të Shqipërisë

Administrata e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e sotme është...

Aksident i lehtë trafiku në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë

Një aksident i lehtë trafiku ka ndodhur sot në...

AKB: Nafta mbi 100 dollarë për fuçi – alarm për ekonominë e Kosovës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësim për rritjen...

Video e Loredanës me Karimin, por ky detaj në çifteli mori gjithë vëmendjen

Loredana Zefi ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve me një...

Bie numri i vizitorëve në hotele, ASK: Rënia e përgjithshme është për 3,2%

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Statistikat e...

Situata politike në Kosovë vazhdon të mbetet e tensionuar edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj këtij dekreti, duke e pezulluar atë nga data 9 mars deri më 31 mars 2026. Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo veprim i presidentes që lidhet me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, si dhe çdo veprim i Kuvendit të Kosovës që lidhet me këtë çështje.

Vendimi i Gjykatës erdhi pasi Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzoi kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes. Kërkesa është nënshkruar nga 30 deputetë dhe përmes saj është kërkuar edhe vendosja e një mase të përkohshme deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se kërkesa është dorëzuar për të vlerësuar nëse dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkohë, nga Presidenca është bërë e ditur se presidentja Vjosa Osmani do të presë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese para se të ndërmarrë hapa të tjerë lidhur me procesin zgjedhor, pasi dekret nuk është nënshkruar ende.

Kriza institucionale në vend filloi pas vendimit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Më 6 mars, Vjosa Osmani kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke hapur rrugë për zgjedhje të reja parlamentare, shkruan lajmi.net.

Ky zhvillim erdhi pas dështimit të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve kryesorë të vendit. Takimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderëve të opozitës, përfshirë kryetarin e PDK-së Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, nuk arritën të prodhojnë një konsensus për zgjidhjen e situatës politike.

Situata u përkeqësua edhe më tej pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin për mandatin e ri më 5 mars për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

Presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati pesëvjeçar më 4 prill, ndërsa për zgjedhjen e presidentit të ri kërkohen së paku 80 vota në dy raundet e para të votimit dhe 61 vota në raundin e tretë.

Në ndërkohë, zhvillimet politike janë shoqëruar edhe me deklarata të forta nga vetë presidentja Osmani. Në një intervistë për Syri TV, ajo ka sqaruar vendimin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, duke theksuar se ky nuk ishte një vendim i marrë në mënyrë individuale.

“Ky nuk ka qenë një vendim që e kam marrë vetë, por pasi kam konsultuar dhjetëra juristë, brenda dhe jashtë kabinetit tim. Të gjithë njëzëri e kanë pasur të njëjtin vlerësim”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se cilido vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese do të respektohet dhe ka nënvizuar rëndësinë e pavarësisë së këtij institucioni.

“Gjykata duhet të jetë e lirë të marrë vendime të pavarura dhe shpresoj që askush të mos ushtrojë presion mbi gjyqtarët”, është shprehur ajo.

Presidentja ka folur gjithashtu edhe për raportet e saj me kryeministrin Albin Kurti, duke rikujtuar se në të kaluarën bashkëpunimi mes tyre ishte parë si një binom që i kishte dhënë shpresë qytetarëve të Kosovës.

“Po, që ne do të vazhdojmë të jemi bashkë, ashtu si ky binomi që i dha shpresë Kosovës, duke vlerësuar punën time deri në superlativ dhe duke thënë se jam presidentja më e mirë në shekullin 21”, ka thënë Osmani.

“Sa më shumë që unë punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtetë do jenë aty, ju e dini, e ka konfirmuar edhe kryetari i LDK-së që nuk ka pasur qëndrim refuzues në raport me emrin tim… Kur u qartësua që ka shanca që unë të zgjedhem, nga kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim i ri, që ishte GP i LVV-së dhe ai personalisht nuk e përkrah kandidaturën time,” tha Osmani.

Ajo shtoi se ka bërë të qartë tek Kurti se pozita e presidentit nuk duhet të përdoret për interesa partiake, duke thënë:

“Sic ja kam bërë të qartë atij, unë nuk jam e as e lidhur me këtë pozitë. Është në dëm të interesit të shtetit tonë për shkak të momentumit që na u hap me SHBA-në.”

Presidentja po ashtu tregoi strategjinë e saj me opozitën dhe partitë e komuniteteve joshumicë:

“Pas zgjedhjeve fillimisht është thënë ‘i kemi 57 vota, do jetë problem me opozitën’. E kemi diskutuar hapur që duhet punuar me opozitën… Kam diskutuar individualisht me deputetë të LDK-së dhe partive të komuniteteve joshumicë dhe duke ardhë te një konkluzion që 80 vota do bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal, jam e bindur që sot do kishim presidente e Qeverinë Kurti”.

Në intervistë ajo ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së saj si presidente dhe për tensionet politike që kishin ekzistuar në atë periudhë brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas saj, në një moment ishte diskutuar që ajo të hynte në garë si kundërkandidate ndaj Glauk Konjufcës, por pa pasur përkrahjen e plotë nga kryeministri Kurti.

“Më thanë ‘ejani futuni si kandidate formalisht si kundërkandidate e Glauk Konjufcës, dhe të shohim si po rrjedh’. Kur i pyeta pse do të isha unë kundër Glauk Konjufcës dhe a do të kisha përkrahjen tuaj, kjo përkrahje nuk m’u dha”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka theksuar se posti i presidentit nuk duhet të përdoret për interesa partiake dhe se vendimet e saj politike janë bazuar në interesin e shtetit.

Osmani ka bërë edhe një deklaratë skandaloze lidhur me rolin e saj si presidente. Ndonëse data e zgjedhjeve duhet të caktohet në përputhje me interesin e qytetarëve dhe të shtetit, Osmani deklaroi se ia kishte dhënë këtë datë Albin Kurtit.

“A ja paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zorit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor a??, Duke ja hequr masat Kosovës? Duke i sjell Kosovës njohje? Duke i vizituar komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje? Duke pritu diasporën e Kosovës ja pasna organizuar puqin a?”, deklaroi Osmani.

Presidentja ka folur edhe për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump ka qenë ndër më pro-Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

Sipas saj, bashkëpunimi me SHBA-të ka ndihmuar në hapjen e mundësive të reja për Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s në Washington dhe diskutimet për anëtarësimin e Kosovës në këtë aleancë, transmeton lajmi.net.

“Nuk kam bërë asnjë koncesion për Kosovën as me BE e as me SHBA”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se me zyrtarë amerikanë janë zhvilluar diskutime edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Presidentja ka theksuar gjithashtu se afërsia e Kosovës me SHBA-të duhet të shihet si një garanci sigurie për vendin.

“Nuk do të duhej që afërsia me SHBA-të të shihej si pengesë, por si garanci sigurie”, është shprehur ajo.

Në intervistë, Osmani ka folur edhe për të ardhmen e saj politike pas përfundimit të mandatit më 4 prill. Ajo nuk ka konfirmuar nëse do të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar se vendimin do ta marrë në bazë të zhvillimeve politike dhe interesit të vendit.

“Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente deri më 4 prill. Pas kësaj do ta bëj një vlerësim konkret për rrugën përpara, në interes të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka reaguar edhe ndaj akuzave për një të ashtuquajtur “puç” politik ndaj kryeministrit Kurti, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Sipas saj, gjatë mandatit të saj ka punuar për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe për thellimin e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz