Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot në kazermën “Adem Jashari”, në 28 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka kujtuar veprën heroike të Adem Jasharit dhe gjithë familjes Jashari.
Ajo ka thënë se në këtë tokë të shenjtëruar nga sakrifica nën flamurin që u ngrit nga gjaku i dëshmorëve dhe në kazermën që mban emrin e pavdekshëm të komandantit legjendar “Adem Jashari”, jemi mbledhur sot në një akt nderimi që e tejkalon kohën.
“Në kuadër të këtij manifestimi madhështor për Epopenë e UÇK-së dhe ditën e kazermës “Adem Jashari”, ne kujtojmë çmimin e lirisë dhe betimin që u bë që ne të jetojmë të lirë dhe me dinjitet. Me këtë tokë që dikur u dridh nga krismat e armëve të lirisë, sot qëndron krenare kazerma “Adem Jashari”, një emër që nuk është thjesht emërtim institucioni por mbi të gjitha një amanet. është përkujtim i përhershëm i një figure që u bë simbol i përjetësisë kombëtare, komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se familja Jashari nuk zgjodhi rrugën e lehtë, por sakrificën, përballjen dhe mbi të gjitha përjetësinë.
“Në Prekaz komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, u shndërruan shtëpinë si kështjellë rezistence, e gjakun e tyre në vulë të lirisë dhe pavarësisë sonë. Familja Jashari është altar i lirisë kombëtare dhe krenari e çdo shqiptari. UÇK ishte zëri i një populli të shtypur, organizimi i guximit dhe shpresa që u ngrit kundër padrejtësisë. Ishte ndërgjegja kombëtare që nuk pranoi të hesht. Epopeja e marsit 1998, është dëshmia se liria fitohet me sakrificë, unitet, me besim në të drejtën për të jetuar të lirë në vatrat tona shekullore.”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se krenaria jonë sot përveç se qëndron në të kaluarën, marshon para nesh me uniformë moderne, me profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Repblikës së Kosovës.
“FSK është trashëgimtare e denjë e UÇK-së, ajo bart në zemër idealin e lirisë dhe në duar mban përgjegjësinë e sigurisë së vendit. E trajnuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, e pajisur me kapacitete moderne dhe me trupa të përgatitura profesionalisht, FSK sot është e gatshme për çdo sfidë. FSK jo vetëm që është e aftë ta mbroj atdheun në çdo kohë, por është e përgatitur të kontriuboj në misione globale të paqes e sigurisë. Sot kur përkujtojmë Epopenë e UÇK-së ne po forcojmë vizionin për të ardhmen, e ardhme ku Kosova është e sigurtë. Sovraniteti mbrohet në çdo pëllëmbë, është e integruar në struktura euroatlantike, me një ushtri profesionale dhe institucione të forta, kazerma “Adem Jashari” është simbol i vazhdimësisë historike”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se FSK ka ardhur nga pushka e lirisë te uniforma e shtetit, nga rezistenca te mbrojtja institucionale dhe nga sakrifica te përgjegjësia shtetërore.
“Le të betohemi sot para kujtimit të komandantit legjendar, dhe gjithë dëshmorëve të kombit, para kujtimit të gjithë familjes Jashari se do ta ruajmë këtë shtet me të njëjtin përkushtim me të cilën ata e fituan duke dhënë jetën. Do ta forcojmë ushtrinë tonë, do ta thellojmë miqësinë me aleatët tanë, do ta mbrojmë lirinë në çdo kohë dhe çdo rrethanë sepse liria jonë ka histori dhe amanet. Kjo është Kosova jonë e dashur që duhet çdo ditë ta duam, ta ruajmë dhe ta fuqizojmë çdo ditë”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/