Gjykata Supreme në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së paditëses N.B., kundër të paditurve Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, me bazë juridike shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të akteve nënligjore normative, pas shqyrtimit gjyqësor publik, të mbajtur më 12 shkurt 2026 ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses N.B..
Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 i nenit 154 të Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nr. KUV-08-V-770-ST, miratuar më 11.07.2024.
Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 i nenit 7 i Rregullores Nr. Prot. 1/282, datë 03.06.2025, për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës.
Paditësja N.B., përmes padisë së paraqitur në Gjykatën Supreme, ka theksuar se, ndonëse është e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe i plotëson kriteret profesionale dhe akademike sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, përjashtohet automatikisht nga mundësia për të konkurruar për pozitën e asistentit universitar për shkak të kufizimit maksimal të moshës, të paraparë në nenin 154, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të Statutit të UP-së.
Sipas paditëses, ky kufizim nuk mbështetet në asnjë autorizim të qartë ligjor, bie ndesh me parimin e barazisë dhe ndalimit të diskriminimit të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke krijuar trajtim të pabarabartë në bazë të moshës dhe duke cenuar të drejtën për qasje të barabartë në punësim.
Gjykata Supreme vlerëson se mungesa e një rregullimi të shprehur ligjor lidhur me përcaktimin e organit legjitim pasiv në rastet kur një akt nënligjor miratohet formalisht nga një organ dhe zbatohet nga një tjetër, përbën zbrazëti normative që duhet interpretuar në funksion të garantimit të së drejtës për mbrojtje gjyqësore efektive.
Gjykata thekson se formalizmi procedural nuk mund të shndërrohet në pengesë për realizimin e kontrollit gjyqësor të ligjshmërisë së akteve normative. Çdo paqartësi duhet të interpretohet në favor të ushtrimit efektiv të së drejtës për qasje në gjykatë.
Dispozitat e veçanta të lartcekura të akteve nënligjore normative të kontestuara të cilat vendosin një kufi maksimal moshe “35 vjeç”, me përjashtim deri “40 vjeç për doktoratë ose specializim”, paraqesin një kufizim të drejtpërdrejtë mbi të drejtën e qasjes në pozita akademike, pa një arsyetim objektiv dhe proporcional. Gjykata vlerëson se një kufizim i tillë nuk është i nevojshëm për të arritur një qëllim legjitim, përveç një shprehjeje të përgjithshme të përcaktimit procedural, dhe përbën “diskriminim të drejtpërdrejtë mbi bazën e moshës”, në shkelje të “parimit të trajtimit të barabartë dhe mundësive të barabarta”.
Po ashtu, Gjykata Supreme sqaroi se objekt shqyrtimi në këtë rast nuk ishte vendimi i Kuvendit për miratimin e Statutit si akt administrativ, por ligjshmëria e dispozitave konkrete të aktit nënligjor normativ.