Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nga java e ardhshme do të nisë procesi i nënshkrimit të kontratave për shërbime, me të gjithë konsumatorët e lidhur në sistemin e rrjetit të ujësjellësit.
Sipas KRU-së, me kontratën e shërbimeve të ujit rregullohen marrëdhëniet juridike ndërmjet palëve kontraktuese, përkatësisht të drejtat dhe obligimet e ndërsjella.
“Kontrata përmban: të drejtat dhe obligimet e palëve për shërbimet e ofruara; të drejtat dhe obligimet e konsumatorit; mënyrën e faturimit për shërbimet e ofruara; procedurat për ankesa, kërkesa dhe shqetësime të konsumatorëve; si edhe dispozita të tjera të bazuara në legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU-së.
Me këtë rast, KRU “Prishtina” ka apeluar te qytetarët që të mos hezitojnë të nënshkruajnë kontratën për shërbime.
Mos-nënshkrimi i saj mund të rezultojë në pengesa në realizimin e të drejtave dhe obligimeve të dyanshme, sipas KRU-së.
Kompania do të japë afat ligjor deri në nënshkrim të kontratës, ndryshe konsumatorët do të shkyçen nga shërbimet e ujësjellësit./IndeksOnline/