Kryeministri Albin Kurti tha në një mbledhje të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, se Murat Jashari do të ishte “zgjedhja e duhur në momentin e duhur” për President të vendit.
Ai tha se zgjedhja e tij President, “do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”.
Kurti tha se zgjedhja e Murat Jasharit në këtë pozitë, “ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal”.
Pjesë nga fjala e Kurtit në mbledhjen e partisë:
“Që të fillojmë të qeverisim shpejt e mirë e mbarë, na ka ngelur edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit. Andaj, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, më lejoni disa fjalë rreth kësaj çështjeje, për të cilën tashmë nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Pas formimit të qeverisë, kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë, pa harruar faktin thelbësor se për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend”.
“Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se Lëvizja Vetëvendosje, e vetme, nuk i ka 80 vota. Për këtë arsye menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë, e padiskutueshme për të gjithë, sigurisht se do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”.
“Rrethanat “gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, si dhe kërcënimet e sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin e Ibër Lepencit dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior, kërekohej një moment reflektimi dhe një figurë e cila u bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë”.
“Në kohë të vështira, ne gjithmonë, siç e dini të gjithë ju, kemi gjetur mbështetje dhe frymëzim te familja Jashari, ashtu siç gjetëm në kohën e luftës nën udhëheqjen e kryekomandantit Adem Jashari, prandaj edhe sot zgjedhja e një figure si Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur. Pra, ky do të ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal”.