Benfica ka njoftuar pezullimin e pesë tifozëve të klubit dhe anulimin e abonimeve të tyre, pas nisjes së proceseve disiplinore që mund të përfundojnë me përjashtimin përfundimtar nga anëtarësia.
Sipas komunikatës zyrtare, vendimi vjen pas një hetimi të brendshëm të ndërmarrë në vijim të ndeshjes së zhvilluar më 17 shkurt mes Benficës dhe Real Madridit, shkruan IndeksOnline.
Hetimi ka konstatuar sjellje të papërshtatshme me natyrë raciste në tribunë, të cilat bien ndesh me vlerat dhe parimet që përfaqëson klubi portugez.
Klubi thekson se procedurat disiplinore janë në zhvillim dhe se, në përputhje me Statutin, masa më e rëndë që mund të aplikohet është përjashtimi.
Në reagimin e tij, Benfica rikonfirmon qëndrimin e prerë kundër çdo forme diskriminimi dhe racizmi, duke nënvizuar se do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur integritetin e klubit, sportit dhe shoqërisë në tërësi.
Ky vendim vjen në një kohë kur institucionet sportive evropiane po shtojnë përpjekjet për të luftuar racizmin në stadiume dhe për të garantuar një ambient të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë tifozët./IndeksOnline/