Ushtria izraelite (IDF) ka dalë me një njoftim pasi kreu sulme në Iran dhe u bëri thirrje qytetarëve që të përgatiten për sulme të mundshme hakmarrëse nga Teherani.
Në një njoftim për media, IDF bëri të ditur se sirenat janë aktivizuar në mbarë Izraelin.
“Në minutat e fundit, sirenat janë dëgjuar në të gjithë Izraelin, me paralajmërime të dërguara paraprakisht drejtpërdrejt në pajisjet mobile për të qëndruar pranë hapësirave të mbrojtura. Ky është një paralajmërim proaktiv për të përgatitur njerëzit për mundësinë e lëshimit të raketave drejt Shtetit të Izraelit. IDF thekson se popullit i kërkohet të qëndrojë pranë hapësirave të mbrojtura”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, do të ketë ndryshime urgjente në udhëzimet e të ashtuquajturës Komanda e Frontit të Brendshëm, ndërsa është bërë e ditur se hapësira ajrore është mbyllur.
“Si pjesë e ndryshimeve, është vendosur që të gjitha zonat e vendit të kalojnë nga gjendja e aktivitetit të plotë në gjendje aktiviteti të domosdoshëm. Udhëzimet përfshijnë: ndalimin e aktiviteteve arsimore, tubimeve dhe vendeve të punës, përveç sektorëve esencialë. Publiku është i detyruar të ndjekë udhëzimet e publikuara në kanalet zyrtare të Komandës së Frontit të Brendshëm. Udhëzimet e plota do të përditësohen në Portalin Kombëtar për Emergjenca dhe në aplikacionin e Komandës së Frontit të Brendshëm”, thuhet në njoftim.
Siç është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes, veprimi ushtarak është ndërmarrë për të neutralizuar kërcënimet e menjëhershme që i kanosen Izraelit.
Shërbimet izraelite të inteligjencës dhe ato ushtarake vlerësojnë se në një afat shumë të shkurtër pritet një kundërsulm masiv ndaj Izraelit, i cili mund të përfshijë tufa dronësh dhe raketa balistike.
Nëpër qytetet izraelite tashmë dëgjohen sirenat që paralajmërojnë rrezik nga ajri.