back to top
Sunday, March 1, 2026
BallinaLajmeProkuroria nis hetimet ndaj dekanit Avni Puka, Enver Hasani mbrëmë ua rikujtoi...

Prokuroria nis hetimet ndaj dekanit Avni Puka, Enver Hasani mbrëmë ua rikujtoi se e kishin mbyllur rastin

Të ngjajshme

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizim për Policia e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me pretendimet e ngritura nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin Betimi për Drejtësi.

Vendimi i Prokurorisë vjen një ditë pasi, më 25 shkurt 2026, Hasani deklaroi në këtë emision se për rastin e denoncuar nga ana e tij nuk ishte ftuar asnjëherë nga Prokuroria për të paraqitur provat që pretendon se posedon. I pyetur nëse ishte në dijeni për ndonjë vendim lidhur me rastin, ai u shpreh: “Kurrë. Është hera e parë që po dëgjoj për të”.

Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi ndaj Policisë është dhënë me qëllim ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me pretendimet e Hasanit, i cili ka deklaruar se disponon dëshmi lidhur me çështjen e denoncuar. Hetimet synojnë zbulimin e veprimeve të mundshme inkriminuese të personave të dyshuar dhe sigurimin e informatave dhe provave shtesë për zbardhjen e plotë të rastit.

Në intervistën e tij, Hasani ka përsëritur pretendimet se dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, nuk e ka mbrojtur doktoratën në Universitetin “La Sapienza”, siç ka deklaruar para organeve të Fakultetit Juridik.

Ai ka theksuar se posedon prova të tjera që, sipas tij, “katërcipërisht vërtetojnë” se Puka nuk i ka përfunduar studimet e doktoratës në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza”. Sipas Hasanit, diploma është nxjerrë në qarkullim pasi ai kishte deklaruar publikisht se Puka nuk i kishte përfunduar studimet e doktoratës.

Hasani ka shtuar se as Prokurori i Shtetit dhe as Këshilli i Etikës nuk kanë kompetencë për nostrifikimin e titujve shkencorë të fituar jashtë vendit, duke theksuar se këtë e bën vetëm NARIC-u në kuadër të MASHT-it. Ai ka pretenduar se kjo është arsyeja pse nuk është ftuar asnjëherë nga Prokuroria apo Këshilli i Etikës.

Pretendimet e Hasanit ishin cilësuar si shpifje nga Puka që në vitin 2022. Ai kishte deklaruar se doktoratura e tij është produkt i punës dhe përkushtimit disa vjeçar dhe se është e verifikuar nga komisione dhe mekanizma akademikë, duke paralajmëruar se do t’i drejtohej autoriteteve kompetente për të mbrojtur integritetin e tij.

Më 12 shkurt 2024, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës kishte konstatuar, duke u bazuar në deklaratën e Universitetit të Romës “La Sapienza” dhe dokumentacionin e prezantuar, se doktorata e Pukës është e vlefshme dhe se punimi i tij është origjinal. Po ashtu, ishte konstatuar respektimi i kornizës normative dhe standardeve akademike në procedurën e avancimit të tij.

Pas këtij vendimi, Puka kishte deklaruar se asnjë sulm apo shpifje nuk e ka zmbrapsur në ushtrimin e detyrës si dekan, duke theksuar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për t’u përballur me, siç i ka quajtur, akuza të pabazuara.

Ndërkohë, emisioni “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje të re nga Puka pas deklaratave të fundit të Hasanit, por deri në publikimin e artikullit nuk është kthyer përgjigje.

Prokuroria e Shtetit ka theksuar se mbetet e përkushtuar që çdo çështje ta trajtojë me profesionalizëm dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, me synimin për zbardhjen e plotë të rastit dhe arritjen e drejtësisë për të gjitha palët e përfshira.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz