Albina Kastrati-Abdixhiku, bashkëshortja e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nuk ka aplikuar për licencë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tregtim me energji elektrike për biznesin që kishte hapur në vitin 2024.
Periskopi ka marrë një përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, duke konfirmuar se kompania “AMPERA”, s’ka licencë.
“Ju njoftojmë se, sipas të dhënave të regjistrit të aplikimeve për licencim, subjekti ‘AMPERA GROUP SH.P.K.’ nuk ka paraqitur aplikim për licencim në Zyrën e Rregullatorit për Energji”, thuhet në përgjigjen e ZReE-së për Periskopi.
Dje u raportua se familja e Abdixhikut i ka hyrë biznesit të energjisë elektrike, meqë Kosova është duke u përballur për një kohë të gjatë me import të madh, dhe kompanitë po gjenerojnë profit të madh në tregtim me energji.
Pas publikimit të lajmit kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, hodhi akuza ndaj mediave, duke përdorur gjuhë aspak të përshtatshme, dhe duke kërcenuar me padi.
Në reagimin e tij në Facebook, Abdixhiku i ksihte cilësuar këto pretendime si shpifje të orkestruara nga “grupe parapolitike”. “Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve”, ka deklaruar ai.
Ai i quajti gazetarët pjesë të një “bote të errët” të mbushur “përplot mllef e urrejtje”. “E kuptoj se në botën e errët ku jetojnë këta njerëz përplot mllef e urrejtje, përpjekja për të përbaltur këdo është mënyrë ekzistence”, kishte thënë mes tjerash Abdixhiku.