Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference sot për mediet kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Kryeministri rezulton i implikuar në afera korruptive si dhe është pengesa kryesore e funksionimit të drejtësisë, çka sipas Berishës, përbën një krim të rëndë në vetvete.
Duke iu referuar mbledhjes së Këshillit të Mandateve për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zëvendësimin e masës së sigurisë për Belinda Ballukun, Berisha tha se deputetët e mazhorancës ishin urdhëruar “që të mos votojnë për heqjen e imunitetit të Ballukut”.
“Nuk është grupi me Kushtetutë ai që përcakton qëndrimin ndaj kërkesës së prokurorisë për imunitetet. Nuk është grupi, është Këshilli i Mandateve që e voton dhe e përcakton. Ata si skllevër nuk guxuan të votojnë dhe u shprehën aty në kundërshtim me Kushtetutën se vendimin do ta marrin pasi të diskutojnë në grup”, tha Berisha.
Berisha tha se sinjalet nga ndërkombëtarët janë të qarta se nuk duhet të ketë asnjë pengesë për drejtësinë.
“Sinjalet janë shumë të qarta, BE, Komisioni Europian, Parlamenti Europian, vendet më kryesore të BE, kanë folur qartë para shqiptarëve. Asnjë pengesë drejtësisë”, u shpreh Berisha.
Megjithatë, Berisha tha se Ramën nuk e heq drejtësia apo komuniteti ndërkombëtarë, por do ta heqin shqiptarët.
“Siç është bërë tashmë e qartë, Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Edi Ramën nuk e heq dot drejtësia, Edi Ramën nuk e heq dot komuniteti ndërkombëtar, por atë do ta heqin shqiptarët, do ta shembin atë njëlloj si kultin satanik të Enver Hoxhës”, tha Berisha.