Buckingham Palace nuk do të kundërshtojë planet për ta hequr Andrew Mountbatten-Windsor, vëllain e Mbretit Charles, nga radha e trashëgimisë mbretërore, mësohet nga The Guardian, ndërsa policia konfirmoi se kontrolli në ish-pronën e tij në Windsor do të vazhdojë gjatë fundjavës.
Burime mbretërore treguan të shtunën se Mbreti Charles nuk do t’ia zë rrugën parlamentit nëse ai dëshiron të sigurojë që ish-princi të mos mund të ngjitet kurrë në fron.
Mountbatten-Windsor, i cili u arrestua këtë javë nën dyshimin për shpërdorim detyre në një funksion publik, mbetet i teti në radhën e trashëgimisë së mbretit, pavarësisht se i janë hequr të gjitha titujt mbretërorë dhe është liruar nga çdo detyrë zyrtare.
Arrestimi erdhi pasi US Department of Justice publikoi dokumente që sugjeronin se Mountbatten-Windsor kishte përcjellë informacione konfidenciale qeveritare tek i dënuari për krime seksuale ndaj të miturve Jeffrey Epstein dhe kontakte të tjera, ndërsa vepronte si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.
Mountbatten-Windsor pushoi së qeni anëtar aktiv i familjes mbretërore në vitin 2019 pas një interviste katastrofike në emisionin Newsnight, ku ai refuzoi të kërkonte falje për miqësinë e vazhdueshme me Epstein.
Në vitin 2022, ai pagoi një dëmshpërblim prej rreth 12 milionë paundësh për viktimën e ndjerë të Epstein-it, Virginia Giuffre, e cila pretendonte se ishte trafikuar tek Mountbatten-Windsor nga financieri i diskredituar. Mountbatten-Windsor i ka mohuar akuzat e Giuffre dhe pagesa u bë pa asnjë pranim përgjegjësie./Express/