Një person është arrestuar pasi dyshohet se ka inskenuar një grabitje me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të 1,400 eurove.
Sipas Policisë, më 20 shkurt 2026, rreth orës 12:00, është raportuar një rast grabitjeje në fshatin Llazicë, Komuna e Malishevës. Ankuesi, Xh.K., punëtor i një poste të shpejtë, kishte deklaruar se dy persona, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), i kishin marrë një çantë me para në vlerë prej 1,400 euro, shkruan IndeksOnline.
Pas pranimit të informatës, njësitet e Stacionit Policor në Malishevë, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore, përfshirë sigurimin e vendit të ngjarjes, mbledhjen dhe analizimin e provave si dhe intervistimin e ankuesit.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe analizës së provave, policia ka konstatuar se grabitja e raportuar nuk kishte ndodhur dhe se rasti ishte inskenuar nga vet ankuesi për të përvetësuar mjetet financiare.
I dyshuari ka pranuar veprën dhe ka treguar vendin ku i kishte fshehur të hollat, të cilat janë gjetur, sekuestruar dhe më pas kthyer te pala përkatëse.
Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është iniciuar rasti “Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ndërsa i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në trajtimin profesional të çdo rasti dhe në zbardhjen e shpejtë të veprave penale./IndeksOnline/