Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten ka shfrytëzuar fjalën e tij në takimin e Bordit të Paqes në Uashington, për t’i bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të bëhet diçka për gjyqin në Hagë ndaj Hashim Thaçit, përpara se “gjëra të këqija të ndodhin përsëri”.
Rama ka thënë se shtetet financuese që ishin prezentë në Uashington, duhej të ndiheshin të turpëruara për drejtësinë që po provon ta bëjë Haga.
Pas kësaj fjale të Ramës, ka pasur edhe një takim të shkurtër mes tij, Trumpit dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka konfirmuar se në ata sekonda të bisedës kanë folur për Hagën dhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen atje.
Lidhur me këto komente të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe thirrjen e tij drejt presidentit Trump kanë folur për Gazetën Express nga Bashkimi Evropian, një prej financuesve kryesorë të Speciales.
Një zëdhënës i BE-së ka kujtuar historikun e krijimit të Dhomave të Specializuara duke potencuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2014 kishin pranuar se zhvillimi i procedurave gjyqësore kishte nevojë të zhvillohej në një ambient të qetë e ku dëshmitarët janë të lirë nga frika dhe ngacmimet gjatë dhe pas procedurave.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (KSC/SPO) dhe zhvendosja e tyre ofrojnë një mjedis të paanshëm, të drejtë dhe të sigurt për hetimet dhe gjykimet. Vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015 për të krijuar KSC/SPO dhe për të mundësuar zhvendosjen e procedurave ishin hapa të vendosur të ndërmarrë nga Kosova për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës e pranoi në atë kohë se procedurat gjyqësore kishin nevojë për një mjedis të tillë të qetë, ku dëshmitarët janë të lirë nga frika dhe ngacmimet gjatë dhe pas procedurave”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së për Express.
I njëjti ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të promovojë një mjedis të tillë pa intimidim dhe frikë.
“Që atëherë e kemi mbështetur këtë përpjekje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Është po aq e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të promovojë një mjedis të tillë pa intimidim dhe frikë”, ka theksuar ky zëdhënës i BE-së.
Në fund, BE ka bërë thirrje për të gjithë hisedarët dhe palët e interesit që të lejojnë Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Hagës të bëjnë punën e tyre sipas mandatit, të lirë nga ndërhyrjet.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve dhe palëve të interesit që ta lejojnë KSC/SPO të ndjekë mandatin e tyre, të lirë nga ndërhyrjet”, ka thënë ky zëdhënës.
Ky zëdhënës ka thënë se BE-së i vjen keq për “përpjekjet e bëra nga palë të treta për të përdorur këto procedura për të rishkruar historinë”.
“Gjithashtu, na vjen keq për përpjekjet e bëra nga palët e treta për të përdorur këto procedura për të rishkruar historinë”, ka përfunduar zëdhënësi i BE-së.