Kuvendi i Kosovës ka votuar sot 86 amendamentet e paraqitura nga partitë politike në kuadër të shqyrtimit të buxhetit, por vetëm gjashtë prej tyre kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për miratim.
Nga numri i përgjithshëm i amendamenteve, 32 u tërhoqën me kërkesë të Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa pjesa dërrmuese e amendamenteve të tjera, kryesisht të propozuara nga deputetë të opozitës, nuk morën mbështetjen e shumicës parlamentare, transmeton lajmi.net.
Gjashtë amendamente u miratuan me shumicë votash, përfshirë amendamentet 1 deri në 5, si dhe amendamentin 86 të propozuar nga Komisioni Funksional, i cili kaloi me 60 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim.
Në anën tjetër, dhjetëra amendamente të propozuara nga deputetë të ndryshëm u rrëzuan në votim. Deputetja Time Kadrijaj nuk arriti të sigurojë mbështetje për amendamentet e saj, ashtu si edhe deputetja Albana Bytyçi. Po ashtu, u refuzuan amendamentet e propozuara nga deputetë si Armend Zemaj, Bekë Berisha, Jehona Lushaku-Sadriu, Slavko Simiq dhe të tjerë.
Ndër amendamentet që nuk kaluan ishte edhe ai i deputetit Eman Rrahmani për ndërtimin e Xhamisë së Ibrit, i cili mori 21 vota për, 51 kundër dhe 6 abstenime.
Rezultati i votimit dëshmon një përplasje të fortë mes shumicës dhe opozitës për prioritetet buxhetore, me shumicën parlamentare që mbështeti vetëm një numër të kufizuar propozimesh, ndërsa refuzoi pjesën më të madhe të amendamenteve të paraqitura./lajmi.net/