Analisti Halil Matoshi ka kritikuar vendimin e Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama për ndryshimin e orarit mësimor gjatë muajit të Ramazanit, duke e quajtur atë jokushtetues.
Sipas Matoshit, Kosova është një demokraci kushtetuese, ku çdo ligj, akt nënligjor apo vendim administrativ duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës. Ai thekson se liria fetare është personale dhe private, por nuk mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shtetërore, duke përmendur Nenin 38 dhe 39 të Kushtetutës.
“Bazuar në Nenin 8 të Kushtetutës, asnjë institucion arsimor ose administrativ nuk ka të drejtë të shkurtrojë orarin e mësimit për shkak të Ramazanit. Ky është thjesht një shkelje kushtetuese,” ka shkruar Matoshi.
Ai thekson gjithashtu se studimet ndërkombëtare, si PISA, tregojnë se rreth 80% e nxënësve të shkollave të mesme në Kosovë nuk e kuptojnë plotësisht atë që lexojnë, ndërsa ndryshimi i orarit gjatë Ramazanit rrit stresin dhe mërzinë te nxënësit dhe mësuesit. Matoshi përmend se uria gjatë agjërimit rrit nivelet e kortizolit, hormoni i stresit, dhe ndikon në nervozizëm dhe lodhje të shtuar.
Ai thekson se, sipas hulumtimeve të organizatës ETEA, 70% e gjimnazistëve nuk mund të përmendin tre tituj librash që kanë lexuar gjatë jetës, dhe e kritikon drejtimin e arsimit të Prishtinës për dhënien e hapësirës së tepërt për ndikimin fetar në shkolla.
Matoshi përfundon se Përparim Rama duhet t’i thotë jo përfshirjes së fesë në shkollat e kryeqytetit që janë nën juridiksion shtetëror, duke theksuar se shkolla duhet të mbetet institucion laik.
Postimi i plotë:
Shkurtimi i orarit mësimor për qëllime fetare âsht jokushtetues!
1.
Kosova âsht demokraci kushtetuese dhe secili ligj apo akt nënligjor, vendim ose udhëzim administrativ i nënshtrohet Kushtetutës.
Në Kosovë, besimet fetare gzojnë liri të plotë, simas Kushtetutës, Neni 38, porse këto liri janë personale e private, tue gzu autonomi jashtë institucioneve shtetnore (Neni 39);
2.
Kushtetuta nuk mund të shkilet në emën të asnji interesi tjetër, pra as atij fetar.
Bazue në Nenin 8 të Kushtetutës (neutraliteti i shtetit) asnjë institucion arsimor ose administrativ (pos entiteteve autonome, siç janë shkollat fetare) nuk ka të drejtë të vendosë për shkurtimin e orarit të mësimit, për shkak të Ramazanit.
Âsht thjesht shkelje kushtetuese!
3.
Simas rezultateve të testit PISA, rreth 80% e nxënësve të shkollave të mesme në Kosovë nuk e kuptojnë dhe nuk dijnë me e interpretu atë që e lexojnë!?
Kjo nuk e alarmoi drejtorinë e arsimit të Prishtinës. Porse shkurtimi i orarit mësimor për Ramazan!?
Përparim Rama duhet të përshihet: Nuk preket shkolla në shtetin laik për interesin fetar!
4.
Dy ndjenjat ma të zakonshme të përjetueme në shkollë janë stresi (79.8 për qind) dhe mërzia (69.5 për qind).
Agjerimi i arsimtarëve dhe sidomos i nxansave, i rritë ndjeshëm këto përqindje.
Fëmijë nuk i tërheq shkolla kazermë dhe rreshti, me mësues të stresuem e zemruem nga agjërimi dhe nxansa të pa pasion për çkadoqoftë!?
Për këtë, ekspertët tashmâ kanë bërë shumë studime.
Ekspertët kanë nji koncensus të gjânë që uria gjatë agjërimit shpesh rrit stresin afatshkurtë, i cili zakonisht quhet stres i të qenmit “i untë + i zemruem”. Ky fenomen nxitet nga nivelet e rrituna të kortizolit (hormoni i stresit) dhe, për shumë njerëz, çon në nervozizëm, tension dhe lodhje të shtueme.
5.
Sipas një hulumtimi të organizatës ETEA – siç raporton Koha.net (2923), 70 % e gjimnazistëve nuk munden me i numërue tre tituj të librave që i kanë lexu gjatë tanë jetës së tyne.
Ndërsa Drejtoria e Arsimit i jep hapësirë fesë, aty ku duhet msue me dyshue!
6.
Zotni Përparim Rama duhet me i thânë jo përfshimjës së fesë në shkollat e kryeqytetit që janë nën juridiksionin shtetnor./lajmi.net/