back to top
Thursday, February 19, 2026
BallinaLajmeEnver Hasani letër senatorëve të UP’së iu thotë se Rektori po shtyn...

Enver Hasani letër senatorëve të UP’së iu thotë se Rektori po shtyn agjenda të Dekanit Avni Puka kundër tij

Të ngjajshme

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu e ka thirrur një mbledhje të Senatit të UP-së për nesër ku pritet të shqyrtohet një vendim i Këshillit të Etikës të UP-së në verën e vitit 2025, për t’i shqiptuar vërejtje me shkrim profesorit Enver Hasani dhe për t’ia ndaluar përfshirjen në mentorim në të gjitha nivelet për një vit vijues.

Këshilli i Etikës e kishte marrë këtë vendim pas denoncimit që dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka e kishte bërë ndaj profesorit Enver Hasani.

Hasani thotë se po “persekutohet” nga “një grupim i dirigjuar nga Avni Puka”, të cilin ai e kishte denoncuar se nuk ka doktoruar në Fakultetin Juridik të “La Sapienza” në Romë dhe për plagjiaturë në doktoratën e tij, të mbrojtur në Prishtinë.

Ai ia ka dërguar një letër Senatit të UP-së, se Flamur Hyseni, i cili e kryeson Këshillin e Etikës, ka falsifikuar disa procesverbale të mbledhjeve me qëllim për ta ndëshkuar.

“Në përpjekjet për të më mbyllur gojën janë konsumuar edhe vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim e sipër, Flamur Hyseni ka falsifikuar procesverbalet e mbledhjeve me qëllim ndëshkimin tim. Procedurat përkatëse penale tashmë janë në zhvillim”, shkruan Hasani në letrën dërguar Senatit.

Hasani thotë se akuzat e Pukës se ai nuk kishte mbajtur ligjërata dhe kishte marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme, u bënë pavarësisht se ai ishte në dijeni se nuk kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në vend që të thirresha për të dëshmuar lidhur me shkeljet penale dhe etike (për çështjen e doktoratës së tij ekziston hetim penal në zhvillim), ndaj meje janë iniciuar procedura disiplinore, përkundër faktit se opinioni publik në Kosovë është në dijeni për gjendjen time shëndetësore gjatë kësaj periudhe”, shkruan Hasani në letrën drejtuar Senatit.

Ai thotë se Puka ka qenë “në dijeni të plotë për situatën”, për shkak të funksionit të tij si dekan. “Në të njëjtën periudhë, të tjerëve u janë hequr orët për mungesa shumë më të vogla, ndërsa në rastin tim janë toleruar pagesa që më pas janë përdorur si mjet presioni dhe shantazhi institucional”, thotë ai.

Sipas një vendimi të Agjencisë për Parandalimin Korrupsionit, Hasani thotë se “Senati është dashur të shqyrtojë çështjen e falsifikimit të vendimit të Komisionit të Etikës”.

Në vendim thuhet pohimet e dy anëtarëve të Këshillit të Etikës të UP-së për falsifikim nga ana e Hysenit, “e bëjnë të domosdoshme trajtimin e kësaj çështjeje paraprake nga Këshilli Etikës”.

“Asnjëherë rektori i Universitetit të Prishtinës nuk e ka ngritur zyrtarisht çështjen e akuzës për falsifikim nga ana e Flamur Hysenit, akuzë e bërë publike nga prof. Qëndrim Gashi dhe, e mbështetur në dokumentet e dorëzuara nga ana ime në organet e hetuesisë penale, edhe nga prof. Rajmonda Nallbani. Pra, dy anëtarë të Këshillit të Etikës kanë ofruar prova dhe kanë reaguar ndaj falsifikimit të bërë nga Flamur Hyseni. A do të pranojë ky Senat i nderuar të instrumentalizohet për realizimin e agjendave personale të Avni Pukës? Në cilin universitet evropian mund të ndodhë që profesorët të përndiqen në këtë mënyrë?”, shkruan Hasani në letrën dërguar Senatit të UP-së.

Në fund të letrës, Hasani i drejtohet rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu se është i gatshëm të heqë dorë vullnetarisht nga “të gjithë titujt akademikë, botimet dhe çdo privilegj institucional”.

“Nëse kjo është mënyra e vetme për të qetësuar Arben Hajrullahun, deklaroj se jam i gatshëm, vullnetarisht, të heq dorë nga të gjitha titujt e mi akademikë, nga botimet dhe nga çdo privilegj institucional. E them këtë, edhe pse mund të duket qesharake, si një analogji me ofertën që Perandoria Romake i bëri prijësit barbar të Hunëve, Atila, përmes princeshës Honoria, në përpjekje për të shmangur shkatërrimin e mëtejshëm të territoreve të saj në Italinë Veriore”.

Hasani ka ofruar të jetë në dispozicion të Senatit për të “ndriçuar dhe provuar në mënyrë të plotë pretendimet e mia, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ruajtjen e dinjitetit institucional dhe integritetit akademik në Universitetin e Prishtinës dhe më gjerë”.

Të Fundit

Sport

ShowBiz