Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka reaguar lidhur me incidentin e fundit që përfshin Vinicius Jr, duke dënuar çdo formë racizmi në futboll dhe në shoqëri.
Rosenior theksoi se situata duhet parë me kontekst, por vijoi me një mesazh të qartë kundër diskriminimit, shkruan Indeksonline
“Është shqetësuese. Ka një kontekst që duhet marrë parasysh sa i përket situatës. Çdo formë racizmi në shoqëri, e lëre më në futboll, është e papranueshme. Nuk mund të flas për një incident për të cilin ka një hetim në vazhdim. Kur e sheh Viniciusin kaq të mërzitur, zakonisht ka një arsye. Edhe unë jam abuzuar në mënyrë raciste. Njerëzit duhet ta kuptojnë se kur gjykohesh për diçka për të cilën duhet të jesh krenar, është ndjenja më e keqe”, u shpreh trajneri i Chelseat
Ai komentoi gjithashtu edhe deklaratat e Jose Mourinhos për këtë çështje:
“Nuk mendoj se është çështje trajner kundër trajneri, për të qenë i sinqertë. Sërish, ka kontekst. Pavarësisht se si feston një lojtar, raca nuk duhet të përfshihet kurrë. Nuk e di kontekstin pse Jose tha atë që tha, ndaj nuk do të gjykoj. Nëse ndonjë lojtar apo trajner shpallet fajtor për racizëm, nuk duhet të jetë pjesë e futbollit. Është kaq e thjeshtë.”
/Indeksonline/