Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka deklaruar se gjatë një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuciq ka arritur t’ia zbusë frikën Serbisë lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Duke folur për gazetarët në margjinat e një samiti për inteligjencën artificiale në New Delhi, Plenkoviq tha se i ka sqaruar Vuçiqit se bashkëpunimi ndërmjet ministrive të mbrojtjes së Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrës teknike dhe nuk është i drejtuar kundër Serbisë.
“Ua kemi larguar shqetësimet që kemi kuptuar se ekzistonin në Serbi sa i përket bashkëpunimit mes ministrive të mbrojtjes së Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. E kam sqaruar se ky bashkëpunim është i fokusuar në bashkëpunim teknik të resorëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Nga ajo që pashë në deklaratën e tij, kjo është pranuar”, tha Plenkoviq.
Edhe Vuçiq deklaroi se ka zhvilluar një bisedë të gjatë me kryeministrin kroat, duke theksuar se për herë të parë kanë diskutuar për, siç e quajti ai, “aleancën ushtarake” mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. Ai kishte thënë më herët, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, se kjo aleancë përbën kërcënimin më të madh për Serbinë.
Kroacia, Shqipëria dhe Kosova vitin e kaluar kanë nënshkruar një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e cila synon forcimin e stabilitetit në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet tri shteteve.