Laert Vasili nuk do të jetë më pjesë e “Për’Puthen” si opinionist i programit. Vendimi u bë i ditur gjatë transmetimit të fundit të emisionit, pas një videoje ku ai kërkoi falje publike për veprimin e tij.
Në mesazhin e transmetuar në studio, Laerti u shpreh:
“Pikë së pari, dua t’ju falenderoj për të gjithë emocionet që më keni dhuruar në të gjithë këtë rrugëtim. Sigurisht që nuk ka njerëz të përkryer, të gjithë bëjmë gabime. Mirë është që kur njerëzit gabojnë, të ndëshkohen. Unë i përshëndes konkurrentët, në veçanti Esmen dhe nëse kam cenuar personalitetin e saj, i kërkoj ndjesë. I kërkoj falje produksionit dhe të gjithë njerëzve pas kamerave.”
Pas transmetimit të videos, Esme u shpreh: “M’u duk i sinqertë në kërkimin e faljes.”
Megjithatë, moderatorja Megi Pojani theksoi se sjellja e Laertit ishte e papranueshme dhe binte ndesh me vlerat që përfaqëson programi dhe Top Channel, duke njoftuar se vendimi për largimin e Laertit ishte përfundimtar.

Ngjarja që çoi në përjashtimin e tij ndodhi gjatë një debati në studio mes Esmes dhe një prej djemve konkurrentë. Teksa jepte opinionin e tij, Laerti u shpreh se kishte “vetëm një mënyrë për t’i mbyllur gojën një gruaje”, më pas u ngrit nga kolltuku, iu afrua Esmes dhe e puthi.
Veprimi shkaktoi reagime të menjëhershme në studio. Esme dhe moderatorja u larguan për pak minuta, ndërsa puthja fillimisht u justifikua nga disa si një “demonstrim”. Vetë Laerti tha se kishte dashur të ilustronte atë që po diskutonte dhe se, si aktor, kishte vepruar në funksion të një shembulli.
Kur u rikthye në studio, Esme deklaroi se ishte e tronditur dhe se nuk e pranonte atë që kishte ndodhur. Laerti kërkoi ndjesë edhe atëherë, duke thënë: “Nëse ty të kam sjellë në një pozitë të vështirë, që është logjike, unë të kërkoj shumë ndjesë.”
Tashmë, me vendimin zyrtar për largimin e tij, kapitulli i Laert Vasilit në “Për’Puthen” është mbyllur.