Dje, në orët e vona të mbrëmjes, Albin Kurti arriti të marrë 66 vota për, duke formuar kështu Qeverinë “Kurti 3”.
Kurti mori mandatin e tij të tretë me radhë, derisa deri tani udhëhoqi si kryeministër në detyrë pas dy palë zgjedhjeve e të cilat nuk sollën fillimisht rezultat, por u shkaktuan bllokada të gjata.
Në këtë Qeveri, këta do të jenë ministrat që ka zgjedhur Kurti të drejtojnë 19 dikasteret:
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm – Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla
Zëvendësministër i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka
Ministër i Financave – Hekuran Murati
Ministër për Punë, Familje dhe vlerat e luftës çlirimtare – Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike – Lulzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani
Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë – Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha
Ministre e Tregtisë – Mimoza Kusari Lila
Ministre e Ekonomisë – Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal –Rasim Demiri
Nga këta 20 ministra, katër prej tyre kanë “probleme me ligjin”.
Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në 2017, akuzohet për dy vepra penale lidhur me një incident në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 10 gusht 2016:
-
Përdorimi i një mjeti të rrezikshëm/armë – pasi akuzohet se hodhi gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit ndërsa ishte deputet, çka e konsiderohet si përdorim i një mjeti të rrezikshëm nën Nenin 375, paragrafi 1 të Kodit Penal (dënim 1-8 vjet burg).
-
Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave – pasi veprimi i tij solli ndërprerjen e mbledhjes dhe detyroi pjesëmarrësit të largohen, e cila konsiderohet nën Nenin 409, paragrafi 1 të Kodit Penal (dënim 3 muaj – 3 vite burg).
Aktakuza fillimisht ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në 26 shkurt 2024, ku ai u shpall i pafajshëm për përdorimin e mjetit dhe ngarkimi i dytë ishte parashkruar, por Apeli e prishi këtë vendim dhe e ktheu rastin për rigjykim në 3 shkurt 2026.
Përveç tij, nën aktakuzë është edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme i rizgjedhur nga Kurti.
Ai dhe tre të tjerë akuzohen se aktivizuan dhe hodhën kanistra me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit gjatë një seance plenare, duke detyruar deputetët të largohen dhe duke penguar funksionimin e kuvendit.
Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën e themeluar nga Prokuroria dhe ka lënë çështjen nën procedurë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Me aktakuzën e njëjtë, ngarkohet edhe Fitore Pacolli, e cila dje nga Kurti u zgjodh Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Fitore Pacolli‑Dalipi, Xhelal Sveçla, Salih Zyba dhe Drita Millaku përbëjnë grupin e deputetëve të akuzuar për përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe pengim të funksionimit të Kuvendit.
Përveç kësaj aktakuze, Fitore Pacolli është intervistuar më 30 janar nga Prokuroria Speciale në
Përveç tre të lartpërmendurve, nën aktakuzë është edhe zëvendëskryeministri i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka.
Ai akuzohet se bashkë me djalin e tij kanë përdorur forcë fizike ndaj dy personave dhe i kanë kërcënuar seriozisht, duke i shkaktuar frikë dhe dhimbje fizike në një park në Prizren, për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake.
Ai gjithashtu akuzohet edhe për abuzim me detyrën zyrtare dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Edhe gjatë mandatit të kaluar, Kurti kishte ministra nën aktakuzë, e të tillë që iu ngrit aktakuza gjatë mandatit, si rasti i rezervave shtetërore. Rozeta Hajdari e cila është nën aktakuzë nuk u emërua ministre në mandatin e tretë të Kurtit si kryeministër. /Lajmi.net/