Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, ka realizuar dy ekstradime ndërkombëtare gjatë muajit shkurt 2026, duke treguar bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet gjermane.
Më 11 shkurt 2026, Policia e Kosovës ka ekstraduar nga Gjermania një shtetas kosovar, i cili ishte arrestuar nga autoritetet gjermane për shkak të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. I dyshuari u dorëzua menjëherë njësiteve përkatëse të policisë për procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 12 shkurt 2026, u realizua ekstradimi i një tjetër shtetasi kosovar nga Kosova drejt Gjermanisë, i cili kërkohej nga autoritetet gjermane për “vrasje në tentativë” dhe “grabitje”.
Policia e Kosovës thekson se këto veprime u kryen në përputhje me ligjet në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duke treguar bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe shtetit gjerman.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit,” thuhet në komunikatën zyrtare. /Lajmi.net/
/l