back to top
Thursday, February 12, 2026
BallinaLajmeHamza bën thirrje për konsesus për çështjen e presidentit, i fton të...

Hamza bën thirrje për konsesus për çështjen e presidentit, i fton të gjithë në marshin e 17 shkurtit: PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës

Të ngjajshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, para votimit të Qeverisë së re, theksoi se legjislatura e dhjetë fillon punën në një moment të rëndësishëm për vendin, kur qytetarët presin stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet të lartë profesional.

Hamza vlerësoi se kjo përbërje e re parlamentare është rezultat i vullnetit qytetar dhe një dëshmi e rrugës së vështirë të shtetndërtimit, duke theksuar se nderi i drejtimit të institucioneve buron nga sakrifica e shumë gjeneratave dhe nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.

“Zgjedhjet e dhjetorit kanë krijuar këtë përbërje parlamentare, vota e qytetarit ta jep nderin më të madh të drejtimit të vendit, të qenurit deputet, por edhe të qeverisë. Ky është një nder që po mbrohet nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Veseli, kryetari Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në gjykimin e padrejtë në Hagë. Por, si nderë i ka rrënjët të shumë gjeneratave para nesh, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari dhe presidentin Ibrahim Rugova dhe shumë të tjerë që luftuan, përfshirë edhe familjen e nderuar Haradinaj që i kemi kolegë në Kuvend. Ky nderë i udhëheqjes vjen me përgjegjësi të madhe. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm retorike, nuk është e projektuar në fjalimet e fushatave zgjedhore dhe postimeve rrjetet sociale që shpesh kanë devijuar në polarizime shoqërore.”, tha ndër të tjera ai, transmeton lajmi.net.

Ai theksoi se përgjegjësia e kësaj legjislature duhet të përkthehet në veprime konkrete: respektim të plotë të Kushtetutës, forcim të sundimit të ligjit, politika të përgjegjshme ekonomike, mbështetje për sektorin privat, rritje të mirëqenies sociale dhe rikthim të besimit me aleatët ndërkombëtarë.

Kryetari Hamza theksoi se PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës dhe do t’i rezistojë çdo tendence që cenon germën dhe frymën e saj, duke kujtuar se në vitet e fundit janë miratuar ligje të shumta që më pas janë shpallur jokushtetuese.

Në fjalën e tij, Hamza bëri thirrje për unitet institucional dhe politik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke kërkuar qasje dinjitoze, të matur dhe unifikuese ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kryetari Hamza njoftoi se në seancën e parë të punës së Kuvendit, PDK do të procedojë për votim rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, tashmë të dorëzuar në Kuvend, me të cilën kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut.

“PDK dhe shpresoj që deputetët e pozitës dhe opozitës, të bashkohemi të ndihmojmë pa mëdyshje, pa politizime betejën për drejtësi dhe të vërtetën që po zhvillohet në Hagë. Ftoj të gjithë kolegët, të gjithë liderët politikë dhe institucional, të jemi së bashku me 17 Shkurt në marshin gjithë popullor “Drejtësi, jo politikë” si veprim minimal dhe modest i ngritjes së zërit tonë. Kuvendi dhe Qeveria e ardhshme e ka obligim të bëj maksimumin që kjo mbrojtje e drejtësisë të përkthehet në veprime konkrete.”, u shpreh ai.

Ai theksoi se shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara duhet të sigurojnë që gjykata të operojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe të marrin përgjegjësi në rast të shkeljes së këtyre standardeve.

Kryetari Hamza konfirmoi se PDK do të mbështesë çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit, por do të mbrojë pa kompromis interesin publik, rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Përkrahja për konsensus nuk është shenjë dobësie, por përgjegjësi shtetërore. Ne do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës, por pa bërë kompromis me interesin shtetëror”, u shpreh kryetari Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për unitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mbrojtje të dinjitetit të shtetit të Kosovës./lajmi.net/

Të Fundit

Sport

ShowBiz