Skenderaj, 10 shkurt – Komuna e Skenderajt ka dalë me një njoftim zyrtar për qytetarët pas tërmetit që goditi sonte Kosovën, përcjellë Drenica Press
Sipas njoftimit, rreth orës 22:05 një tërmet me magnitudë 4.8 ka goditur juglindjen e vendit, konkretisht zonën Prizren–Shtërpcë. Lëkundjet janë ndier edhe në disa pjesë të tjera të Kosovës, përfshirë territorin e Komunës së Skenderajt.
Deri në këto momente, autoritetet komunale bëjnë të ditur se nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme materiale. Institucionet përkatëse janë duke e monitoruar situatën në vazhdimësi dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të ri.
Komuna ka apeluar për kujdes dhe respektim të udhëzimeve të sigurisë në rast të lëkundjeve të tjera, duke rekomanduar që qytetarët të qëndrojnë larg dritareve dhe objekteve që mund të bien, të strehohen nën tavolina të forta ose pranë mureve mbajtëse brenda ambienteve dhe, pas lëkundjeve, të dalin me kujdes në hapësira të hapura. Gjithashtu, kërkohet të mos përdoren ashensorët dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme.
Autoritetet ftojnë qytetarët të kontrollojnë banesat e tyre dhe të ndihmojnë personat që kanë nevojë, si dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare. Çdo informacion i ri do të publikohet përmes kanaleve zyrtare të Komunës, përfshirë rrjetet sociale.
Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192, Zjarrfikësit në 193 dhe Ndihmën e Shpejtë në 194.
Komuna e Skenderajt thekson se siguria e qytetarëve mbetet prioritet i saj.