Ambasadori britanik në Beograd, Edëard Ferguson, ka deklaruar se përgjegjësia për mungesën e përparimit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është e ndarë dhe bie si mbi Kosovën ashtu edhe mbi Serbinë.
Ai në një intervistë për gazetën serbe ‘Politika’, theksoi se Kosova ende nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, duke përmendur posaçërisht mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, duhej të ishte krijuar prej vitesh.
Ferguson tha se Mbretëria e Bashkuar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që ta përmbushë këtë obligim.
“Unë mendoj se përgjegjësia është e përbashkët. Pra, ajo bie mbi udhëheqësit si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Në Kosovë, për shembull, ne e kemi thënë shumë herë se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ende nuk është përmbushur. Asociacioni i komunave me shumicë serbe ende nuk është krijuar dhe ne mendojmë se kjo duhej të kishte ndodhur shumë vite më parë. Ne duam që kjo të ndodhë”, tha Ferguson.
Megjithatë, ambasadori britanik theksoi se edhe Serbia ka detyrime të papërmbushura në kuadër të marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë angazhimin për të mos penguar Kosovën në proceset e integrimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Por ka edhe detyrime që Serbia duhet t’i përmbushë. Ka çështje që lidhen, për shembull, me mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ne kemi parë përpjekje të vazhdueshme nga Serbia për të parandaluar anëtarësimin në organizata të ndryshme”, u shpreh ai.
Sipas Fergusonit, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, e cila është “e dakorduar dhe juridikisht obliguese”, përbën një udhërrëfyes të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve, por zbatimi i saj kërkon vullnet politik si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina.
“Siç thashë, rruga është e qartë dhe është përcaktuar në marrëveshje të ndryshme – qoftë Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Ohrit. Mendoj se duhet t’i kuptojmë të gjitha së bashku. Të gjitha këto janë angazhime të marra”, theksoi ambasadori britanik.
Ai përfundoi se stabiliteti rajonal nuk mund të arrihet pa përmbushjen e obligimeve nga të dyja palët dhe pa një angazhim serioz për dialog.