Irani do të sulmojë bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse sulmohet nga forcat amerikane që janë grumbulluar në rajon, tha të shtunën ministri i jashtëm iranian Abbas Aragchi.
Në një intervistë për Al Jazzera, Aragchi tha se kjo nuk duhet parë si një sulm ndaj vendeve që i strehojnë ato.

Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Teherani dhe Washingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte bërthamore pas asaj që të dyja palët e përshkruan si diskutim pozitiv të premten në Oman, shkruan Reuters.
Përderisa Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për rundin tjetër të negociatave, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se ato mund të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme.
Trump ka kërcënuar të godasë Iranin pas një përforcimi detar të SHBA-së në rajon, duke kërkuar që të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, një rrugë e mundshme drejt bombave bërthamore, si dhe të ndalojë zhvillimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në rajon.
Teherani ka mohuar prej kohësh çdo qëllim për prodhimin e armëve bërthamore.
Ndërsa të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë mbi mosmarrëveshjen e gjatë bërthamore të Teheranit me Perëndimin, Araqchi kundërshtoi zgjerimin e bisedimeve.