Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në komunat që mbulohen nga kjo prokurori.
Sipas njoftimit, më 22 janar 2026 është autorizuar Policia e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim sigurimin e provave dhe identifikimin e personave përgjegjës. Pas veprimeve fillestare dhe raporteve të pranuara, Prokuroria ka dhënë detaje për situatën në disa komuna, transmeton lajmi.net.
Në Ferizaj, ku janë përfshirë 153 vendvotime, parregullsitë janë cilësuar si të ulëta. Sipas të dhënave, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë shtimet variojnë nga një deri në tre vota.
Edhe në Han të Elezit, sipas Prokurorisë, përqindja e manipulimeve është e ulët dhe e ngjashme me atë në Ferizaj.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar parregullsi në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë krahasuar me komunat tjera. Sipas raportit, për tre kandidatë janë konstatuar shtime votash që variojnë nga 10 deri në 45 vota.
Lidhur me këto raste, është autorizuar intervistimi i kryesuesve të qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, ndërsa në Shtime do të intervistohen si të dyshuar komisionerë dhe kryesues.
Sa i përket Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj thekson se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë personave të dyshuar, duke shtuar se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Komunikata e plotë:
Njoftim lidhur me keqpërdorimin e votave gjatë procesit të numërimit në regjionin e Ferizajt
Ferizaj, 06 Shkurt 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më 22.01.2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës, në komunat të cilat janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe pas mbajtjes së takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës, si dhe pas raportit të pranuar nga ana e tyre, për komunat nën kompetencë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë si në vijim:
Në komunën e Ferizajt –në bazë të raporteve të pranuara, e cila përfshin 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët, konkretisht prej 153 vendvotimeve- vetëm një (1) kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash, ndërsa, për kandidatët e tjetër rezulton nga një (1) deri në tre (3) vota.
Në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Tek komuna e Shtimes, janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimeve dhe ka rezultuar me një përqindje pak më të lartë, ku rezulton një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë prej dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota.
Në lidhje me këto manpulime, është autorizuar Policia e Kosovës që të intervistohen kryesuesit e qendrave të numërimit për komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.
Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime tjera hetimore shtesë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, mbetet e angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit./lajmi.net/