Përderisa tashmë numërimi mbrapshtë ka filluar për zgjedhjen e presidentit të ri, një marrëveshje mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentes së tanishme me mandat edhe një muaj, Vjosa Osmani, duket se nuk ka. Kështu të paktën ka vlerësuar njohësi i çështjeve të politikës dhe sigurisë, Burim Ramadani.
Ramadani i ftuar në T7, mbrëmë tha se Kurti ia ka ‘’këput’’ shpresat Osmanit për mundësitë që të votohen në pako çështja e presidentit, kuvendi e qeveria.
‘’Edhe sot çka kemi pa, e që është e përsëritur e ka thanë disa herë Kurti, ai ia ka pre, këput shpresën Osmanit që me hi në pako kuvendi, qeveria edhe presidenca. Rrjedhimisht ai e tha, që po bëhet Kuvendi, qeveria, buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare, pastaj do të flasim për presidentin. Mes Osmanit edhe Kurtit, është e qartë për mua, që nuk ka marrëveshje, pra nuk kanë marrëveshje Vjosa me Albinin për qasjen se si me zgjedh presidentin’’, ka thënë ai.
Ramadani, rreth pyetjes që ishte mbrëmë në Pressing se ‘’Kush na çon në zgjedhje, Srpska apo Presidentja’’, tha se, sipas tij, Vetëvendosja është ajo që në fakt e dërgon vendin edhe në një palë zgjedhje të tjera.
‘’Me lidh me ato se kush e çon Kosovën në zgjedhje, a Srpska a presidenti, përgjigja e thjeshtë është Vetëvendosja e çon Kosovën në zgjedhje. Vetëm nëse nuk synim me ndërtu përfundimisht institucione. Na tash jena në një periudhe me afate të ngushta. Kuvendi nuk pres që mbledhet para 20 shkurtit, dhe rrjedhimisht i bjen dy javë me i zgjedh institucionet komplet, nëse don mos me shku në zgjedhje’’, tha mbrëmë Ramadani. /GazetaExpress