Reshjet e dëborës dhe ngricat në segmentin e rrugës “Mon Balaj”, në lagjen Kodra e Trimave, u bënë shkak i hedhjes së përgjegjësisë për mirëmbajtje mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Ka qenë Komuna ajo që është deklaruar se kjo rrugë është në përgjegjësi të nivelit qendror, pavarësisht pastrimit, ndërkohë që ka reaguar ministria në detyrë e Infrastrukturës, duke sqaruar se segmenti “Mon Balaj” është në kompetencë kryekëput e kryeqytetit, gjë që e dëshmon edhe ndërhyrjen e komunës për të vënë pengesa.
Ministria e Infrastrukturës ka nënvizuar se përgjegjësia e Ministrisë se Infrastrukturës mbetet segmenti rrugor nga Bërnica në drejtim të Komunës së Podujevës, ku edhe ka filluar realizimi i projektit të rrugës Prishtinë-Podujevë.
Ndryshe, trafiku është bërë pak më i vështirë për shkak të borës, ngricave dhe dukshmërisë së ulët në disa rrugë, sidomos ato nacionale dhe rajonale. Megjithëkëtë raportohet se të gjitha rrugët janë të kalueshme. Kushtet dimërore, gjithmonë kanë nevojë për kujdes të shtuar si nga ngasësit ashtu edhe nga këmbësorët.
“Edhe kur rrugët janë pastruar nga bora, rrëshqitja mbetet rrezik real, prandaj këmbësorët duhet të lëvizin me kujdes dhe të përdorin vendkalimet e shënuara..”, tha Nold Dedaj, ekspert i sigurisë.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se rrugët që çojnë drejt pikave kufitare janë kryesisht të mira dhe të kalueshme.
Sipas të dhënave të fundit, në shumicën e rrugëve nuk kanë borë, akull, mjegull apo rrëshqitjeve të dheut.
Qasja në rrugët Mitrovicë-Bërnjak, Gjakovë-Qafë Morinë, Gjakovë-Qafë Prush, Gjilan-Dheu i Bardhë, Kaçanik-Hani i Elezit, Podujevë-Merdar dhe Prizren-Vërmicë është lehtë e kalueshme. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të mbajnë distancë të sigurt nga automjetet përpara, t’i përdorin dritat kur dukshmëria është e dobët dhe t’i shmangin manovrat e rrezikshme, si parakalimet e panevojshme dhe frenimet e papritura./rtk