Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore, duke falënderuar anëtarësinë dhe qytetarët për mbështetjen e dhënë, ndonëse, sipas tij, rezultati nuk e pasqyron potencialin e plotë të LDK-së.
“Rezultati që arritëm nuk e pasqyron potencialin që kjo parti ka”, ka shkruar Hoti, duke theksuar se angazhimi dhe sakrifica e strukturave të partisë mbeten të vlefshme, transmeton lajmi.net.
Hoti ka shprehur mirënjohje të veçantë për kryetarin Lumir Abdixhiku, kryesinë dhe strukturat lokale të LDK-së, si dhe për anëtarësinë besnike që, sipas tij, “e mban LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese”.
Ai ka theksuar se besimi i marrë nga votuesit për ta përfaqësuar në Kuvend, më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025, përbën obligim për angazhim në ringritjen e partisë.
Në reagimin e tij, Hoti ka bërë thirrje për unitet dhe forcim të vlerave themeltare të LDK-së, duke theksuar se partia ka nevojë për “demokraci të brendshme, guxim politik dhe orientim të palëkundur euro-atlantik”.
Ai ka shtuar se do të vazhdojë të angazhohet për fuqizimin e demokracisë, shtetësisë dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës./lajmi.net/